Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se do të luftojnë me durim për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet gjeografik, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, raporton Anadolu.
Erdoğan në kuadër të vizitës së tij në Pakistan u prit me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Islamabad nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif.
Pas takimit, të dy liderët folën në një konferencë të përbashkët për media.
Presidenti turk, gjatë fjalës së tij, tha se në takimin me kryeministrin pakistanez para mbledhjes së Këshillit kanë vlerësuar gjerësisht zhvillimet bilaterale, si dhe ato rajonale dhe globale.
Duke treguar se me kryeministrin Sharif janë dakord se duhet shtuar përpjekjet e tyre për të arritur objektivin të vëllimit tregtar prej 5 miliardë dollarësh, lidhur me Forumin e Biznesit Türkiye-Pakistan, Erdoğan tha: “Inkurajojmë investitorët tanë, të cilët janë lokomotiva e bashkëpunimit ekonomik, të bëjnë më shumë aktivitete në Pakistan”.
Erdoğan foli edhe për luftën kundër terrorizmit që të dyja vendet po zhvillojnë.
“Ndiejmë mbështetjen e fortë të Pakistanit në luftën tonë me të gjitha format e terrorizmit, përfshirë kundër PKK-së, YPG-së, DEASH-it dhe FETO-s. Ritheksojmë mbështetjen tonë ndaj Pakistanit në luftën e tij kundër të gjitha formave të terrorizmit”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu vlerësoi tej mase mbështetjen e Pakistanit ndaj kauzës së drejtë të turqve qipriotë.
Duke folur lidhur me zhvillimet në Palestinë, Erdoğan tha: “Do të luftojmë me durim për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet gjeografik, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet”.
“Duhet të forcojmë qëndrimin tonë në një kohë kur ka propozime të jashtëligjshme dhe të pandërgjegjshme siç është ndarja e vëllezërve tanë të Gazës nga atdheu i tyre”, shtoi ai, duke folur për planet për zhvendosjen e palestinezëve nga tokat e tyre.
– Sharif: Türkiye aktualisht është një nga vendet me rritjen më të shpejtë në botë
Nga ana e tij, kryeministri Sharif theksoi se Türkiye dhe Pakistani janë dy vende që kanë marrëdhënie unike mes tyre.
“Türkiye aktualisht është një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më të madhe në botë”, theksoi ai.
Duke folur për presidentin Erdoğan, kryeministri pakistanez tha: “Në çdo rast vazhduat të mbroni të drejtat e popujve muslimanë, veçanërisht atyre të shtypurve. Atë që e thatë, bota islame e dëgjoi me vëmendje nga afër”.
– Nënshkruhen 24 marrëveshje bashkëpunimi
Ndërkohë, para konferencës së përbashkët për media, midis dy vendeve u nënshkruan 24 marrëveshje bashkëpunimi.
Përveç marrëveshjeve të nënshkruara në një sërë fushash, presidenti Erdoğan dhe kryeministri Sharif nënshkruan deklaratën e titulluar “Thellimi, Diversifikimi dhe Institucionalizimi i Partneritetit Strategjik”.
Gjithashtu në kuadër të vizitës së presidentit turk në Pakistan, u vendos që emri i presidentit Recep Tayyip Erdoğan t’i jepet një prej seksioneve më të ngarkuara të një autostrade, duke përfshirë kryqëzimin F-8 në kryeqytetin pakistanez Islamabad.
Erdoğan në kuadër të turit aziatik vizitoi edhe Malajzinë dhe Indonezinë.