Ish-shefi ekzekutiv i Google është i shqetësuar se Inteligjenca Artificiale (Al) mund të përdoret për të “dëmtuar njerëzit e pafajshëm”.

Eric Schmidt tha: “Frika e vërtetë që kam nuk është ajo që shumica e njerëzve flasin për AI – unë flas për rrezik ekstrem.”

Miliarderi i teknologjisë, i cili ka mbajtur poste të larta në Google nga viti 2001 deri në vitin 2017, tha se “Koreja e Veriut, ose Irani, apo edhe Rusia” mund të adoptojnë dhe keqpërdorin teknologjinë për të krijuar armë biologjike.

Ai bëri thirrje për mbikëqyrje të qeverisë mbi kompanitë private të teknologjisë që po zhvillojnë modele të AI, por paralajmëroi se rregullimi i tepërt mund të mbysë inovacionin.

Bëhet e ditur se Schmidt ra dakord me kontrollet e eksporteve të SHBA-së për mikroçipet e fuqishme që fuqizojnë sistemet më të avancuara të AI.

Para se të largohej nga detyra, ish-presidenti i SHBA-së Joe Biden kufizoi eksportin e mikroçipave në të gjitha vendet, përveç 18 vendeve, në mënyrë që të ngadalësonte përparimin e kundërshtarëve në kërkimin e AI.

Por, vendimi ende mund të anulohet nga Donald Trump, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

“Mendoni për Korenë e Veriut, Iranin, apo edhe Rusinë, të cilët kanë një qëllim të keq”, tha Schmidt.

“Kjo teknologji është mjaft e shpejtë për ta përvetësuar që të mund ta keqpërdorin dhe të bëjnë dëm të vërtetë”, tha Schmidt.

Ai shtoi se sistemet e AI, në duar të gabuara, mund të përdoren për të zhvilluar armë për “një sulm biologjik nga ndonjë person i keq”.

“Unë jam gjithmonë i shqetësuar për skenarin Osama Bin Laden, ku ju keni një person vërtet të lig që merr përsipër një aspekt të jetës sonë moderne dhe e përdor atë për të dëmtuar njerëzit e pafajshëm”, tha ai.

Raportohet se Bin Laden orkestroi sulmet e 11 shtatorit në vitin 2001, ku aeroplanët u përdorën për të vrarë mijëra njerëz në tokën amerikane.

Schmidt propozoi një ekuilibër midis mbikëqyrjes së qeverisë për zhvillimin e AI dhe mbirregullimit të sektorit.

Ndryshe, ai po fliste nga Parisi, ku përfundoi Samiti i Veprimit të AI me refuzimin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të nënshkruar marrëveshjen.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha se rregullorja do të “vrasë një industri transformuese ashtu siç po ngrihet”. /Telegrafi/