Real Madrid-i nuk po kalon momentin e tij më të mirë për sa i përket stabilitetit jashtë sportit. Ka pakënaqësi të thellë në krye të klubit me Vinicius Junior-in pasi sulmuesi brazilian pranoi publikisht interesin e Arabisë Saudite për të siguruar shërbimet e tij.

Oferta e Al Ahli-t, e cila fillimisht dukej si një thashethem i thjeshtë, është bërë realitet që ka habitur bordin e Real Madrid-it, të cilët nuk e kuptojnë momentin në të cilin po ndodh kjo lëvizje.

Fakti që lojtari ka folur hapur për këtë çështje, madje duke përmendur kontaktet me presidentin, ka krijuar shqetësim në Valdebebas.

Sipas gazetës “Marca”, nuk është e zakonshme që një situatë e tillë të krijohet në mes të sezonit, aq më tepër kur Real Madrid-i është në një fazë vendimtare të sezonit, gjë që ka gjeneruar një farë destabiliteti.

Pavarësisht qetësisë që transmeton klubi, bazuar në kontratën solide të Vinicius-it dhe klauzolën e lirimit prej 1 miliard eurosh, shqetësimi qëndron tek ndikimi që mund të ketë në dhomën e zhveshjes dhe në performancën e vetë lojtarit.

Klubi e ka të qartë se strategjia e tij në lidhje me rinovimet dhe pagat nuk i nënshtrohet presionit të jashtëm.

Politika sportive e Real Madrid-it e vendos gjithmonë institucionin përpara çdo lojtari, pavarësisht nga rëndësia e tyre për ekipin. Rastet e mëparshme, si ai i Cristiano Ronaldo-s, e kanë bërë të qartë se kushdo që vendos të ndryshojë rregullat e vendosura, përfundon duke gjetur derën e daljes.

E ardhmja e Vinicius-it mbetet e pasigurt, por Real Madrid-i nuk dëshiron ndonjë shpërqendrim.

Nëse braziliani dëshiron të vazhdojë, do të duhet të tregojë angazhimin e tij me veprime dhe jo me mesazhe të paqarta pas çdo ndeshje.