Arabia Saudite tha të premten se mezi pret të organizojë një takim mes presidentëve amerikanë dhe rus, Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Trump kishte thënë të mërkurën se do të takohej me Putin-in në Arabinë Saudite, menjëherë pasi të dy liderët biseduan në telefon në të cilin ata ranë dakord të fillonin “menjëherë” negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlin-it tha të enjten se Arabia Saudite ishte një nga vendet që po konsiderohej për takimin, por se ende nuk ishte marrë një vendim.

“Mbretëria mirëpret mbajtjen e këtij samiti në Arabinë Saudite dhe rikonfirmon përpjekjet e saj të vazhdueshme për të arritur paqen e qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, përpjekjet e ndërmarra që nga fillimi i krizës në Ukrainë”, tha Ministria e Jashtme saudite në një deklaratë të premten.

Ministria nuk dha një datë për këtë samit të mundshëm.