Mos e përmendni luftën: Në Gjermani, politikanët po fshehin të vërtetën mbi shpenzimet për mbrojtjen

Përpara zgjedhjeve të rëndësishme të së dielës, kandidatët që do të udhëheqin qeverinë e ardhshme të Gjermanisë po hezitojnë t’u tregojnë votuesve të vërtetat e hidhura. Këto të vërteta lidhen me luftën e Rusisë në Ukrainë, tërheqjen e afërt të ShBA-së nga Evropa dhe financimin e madh të mbrojtjes që është i nevojshëm. Në vend të kësaj, debati është përqendruar kryesisht në mënyrat për të ringjallur ekonominë e dobësuar gjermane, pas dy vitesh recesioni, si dhe në kontrollin e migracionit i cili ka nxitur mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Lideri i konservatorëve CDU/CSU, Friedrich Merz, ka shmangur të flasë për nevojën e një borxhi masiv për të mbuluar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, pasi shumë nga mbështetësit e tij kundërshtojnë borxhin shtesë. Kancelari socialdemokrat (SPD), Olaf Scholz, po i largohet diskutimeve mbi mundësinë e dërgimit të trupave gjermane në Ukrainë, si pjesë e një force të mundshme sigurie evropiane në rast të një marrëveshjeje armëpushimi, sepse një pjesë e bazës së tij politike është ose antimilitariste ose miqësore ndaj Rusisë. Pas një samiti urgjent evropian mbi Ukrainën, të mbajtur të hënën në Paris, Scholzi i irrituar deklaroi se diskutimet mbi dislokimin e trupave ishin “krejtësisht të papërshtatshme”.
Asnjëri nga dy kandidatët kryesorë për të drejtuar ekonominë më të madhe të Evropës nuk guxon t’u tregojë votuesve vendas se sa e rëndë është situata e sigurisë së Gjermanisë, tani që Donald Trump po synon një marrëveshje të shpejtë me Vladimir Putin – në dukje kryesisht sipas kushteve të Moskës – për të ndalur luftimet në Ukrainë dhe për të tërhequr forcat amerikane nga Evropa.
“Askujt nuk i intereson të flasë të vërtetën para zgjedhjeve”, thotë Jan Techau, ish-shkrues fjalimesh në Ministrinë e Mbrojtjes dhe aktualisht drejtor për Evropën në kompaninë e konsulencës Eurasia Group. “Në skenarin më të keq, nëse Trumpi arrin këtë marrëveshje me Putinin dhe ndan Evropën në sfera ndikimi, Gjermania do të mbetet shumë e ekspozuar”.
Ndryshe nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania nuk ka një mjet për parandalim bërthamor dhe forcat e saj të armatosura janë të papërgatitura dhe të pakta pas tri dekadash vetëçarmatimi – që nga rënia e Murit të Berlinit. Ajo po mezi po mundet të pajisë një brigadë prej pesë mijë trupash për ta vendosur në Lituani si pjesë e pranisë parandaluese të NATO-s.
Scholz shpalli një Zeitenwende (pikë kthese) pak ditë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ndërsa krijoi një fond special prej 100 miliardë eurosh për të blerë pajisje mbrojtëse. Por, ai nuk arriti ta ndjekë këtë nismë me hapa konkretë dhe t’i bindë gjermanët se kohët vërtet kanë ndryshuar dhe se vendi duhet të heqë dorë nga aversioni i pasluftës ndaj çdo gjëje ushtarake. Ndërkohë që zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës paralajmërojnë se Rusia mund të jetë gati të sulmojë një vend të NATO-s deri në vitin 2030, ekspertët thonë se me ritmin aktual Gjermanisë do t’i duhen dekada të tëra për të rindërtuar forcat e saj të armatosura.
“As lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës nuk ka krijuar një ndjenjë urgjence në Gjermani – një ndjesi se koha për të rindërtuar ushtrinë nuk është e pafundme”, thotë Thomas Kleine-Brockhoff nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme. Instituti Kiel për Ekonominë Botërore ka llogaritur se, me ritmin aktual të prokurimeve, do të duheshin gati 100 vjet që ushtria gjermane të kishte aq obusë artilerie sa kishte në vitin 2004.
Kur fondi special të shterohet në fund të vitit 2027, ai do të lërë një boshllëk buxhetor prej 30 miliardë eurosh në vit, vetëm për të mbajtur shpenzimet e mbrojtjes në objektivin aktual të NATO-s prej dy për qind të PBB-së. Do të nevojitet gati dyfishi i kësaj shume për të arritur objektivin e mundshëm prej tre për qind ose më shumë, të cilin liderët aleatë pritet ta vendosin në qershor. Nëse Trumpi fillon të tërheqë trupat amerikane nga Evropa, fatura do të rritet edhe më shumë.
Merz ka deklaruar se, nëse fiton zgjedhjet, ai do të fillojë duke shkurtuar shpenzimet e tepërta për mirëqenie dhe do të nxisë rritjen ekonomike me ulje taksash, përpara se të shqyrtojë marrjen e borxheve shtesë. Ai ka lënë të kuptohet se është i hapur për reformimin e “frenit të borxhit” në Kushtetutën, që kufizon rreptësisht deficitet qeveritare, për të krijuar më shumë hapësirë fiskale për investime në mbrojtje. Po ashtu, ai mund të jetë i gatshëm për borxh të përbashkët me partnerët evropianë, për të financuar pajisjet e përbashkëta të mbrojtjes.
Kandidati kryesor konservator ka kritikuar ashpër Scholzin për mungesën e lidershipit të tij në BE dhe është zotuar të riparojë marrëdhëniet e dëmtuara të Gjermanisë me Francën dhe Poloninë, të punojë më ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të marrë një rol udhëheqës në reagimin e Evropës ndaj luftës në Ukrainë. Ndryshe nga Scholzi, ai mbështet furnizimin e Kyivit me raketat Taurus me rreze të mesme veprimi, të cilat mund të godasin objektiva brenda Rusisë, por vetëm nëse arrihet një marrëveshje me partnerët evropianë. Një koleg i tij i afërt në Parlament thotë se Merz është thellësisht pro-evropian dhe atlantist dhe e kupton se Gjermania do të duhet të marrë shpejt borxhe për të forcuar mbrojtjen.
Megjithatë, mbesin pyetjet kryesore nëse do të ketë mjaft kapital politik për të marrë borxhe masive për mbrojtjen dhe për të riparuar infrastrukturën e rrënuar të Gjermanisë; nëse do të ketë shumicën e nevojshme parlamentare për të reformuar “frenin e borxhit”; nëse do të tregojë gatishmërinë që ka munguar në tri vitet e fundit të qeverisjes së qendrës së majtë; dhe, deri në çfarë mase partnerët e tij të mundshëm të koalicionit nga SPD-ja do ta lejojnë të shkurtojë shpenzimet për mirëqenie për të financuar mbrojtjen.
Duke dështuar të përgatisë opinionin publik për stuhinë që po vjen, Merz po krijon probleme për vetveten kur të vijë momenti – shumë shpejt – për të marrë vendime të dhimbshme mbi shpenzimet publike dhe borxhin.