Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Mike Waltz tha të premten se pret që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet me Shtetet e Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Komentet e tij u bënë ndërsa Presidenti Donald Trump tha se Kievi “nuk ka asnjë kartë për të luajtur”.
Zyra e Presidentit Zelenskiy tha se Shefi i Shtabit të Ukrainës Andriy Yermak diskutoi gjatë një telefonatë të premten me zotinWaltz mbi “përafrimin e pozicioneve” në marrëdhëniet dypalëshe, pas shkëmbimeve të nxehta mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit ukrainas.
Presidenti Trump tha të mërkurën se zoti Zelenskiy është një “diktator i pazgjedhur” dhe i kërkoi atij të veprojë me shpejtësi për të siguruar paqen me Rusinë ose do të rrezikonte të humbiste vendin e tij. Komentet e zotit Trump thelluan edhe më tej tensionet mes dy udhëheqësve.
Ndryshimi i mprehtë i toneve të Shteteve të Bashkuara, mbështetësit më të rëndësishëm të Ukrainës, kanë alarmuar zyrtarët evropianë dhe ka ngjallur frikën se Kievi mund të detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje paqeje që favorizon Presidentin rus Vladimir Putin.
Zoti Zelenskiy tha se Presidenti Trump jetonte në një “flluskë dezinformimi” të krijuar nga Rusia, por më vonë i zbuti deklaratat e tij dhe tha se shpresonte në pragmatizmin amerikan.
Të mërkurën zoti Zelenskiy hodhi poshtë kërkesën e SHBA-ve për 500 miliardë dollarë në minerale nga Ukraina, për të shlyer Uashingtonin për ndihmën e dhënë gjatë kohës së luftës. Ai tha se deri më tani Shtetet e Bashkuara nuk kishin ofruar ndihme në ato nivele dhe se nuk kanë ofruar garanci specifike sigurie, për nënshkrimin e një marrëveshjeje.
Në bisedën me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Waltz, zoti Yermak “theksoi rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit dypalësh dhe një niveli të lartë marrëdhëniesh mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”, bëri të ditur zyra e zotit Zelenskiy.
Disa orë më vonë zoti Waltz tha në Konferencën e Veprimit Politik Konservator që u mbajt në Uashington se: “Presidenti Zelenskiy do ta nënshkruajë marrëveshjen dhe kjo do të ndodhë brenda një kohe shumë të shkurtër”.
Zoti Waltz tha të enjten se zoti Zelenskiy duhej të kthehej në tryezën e bisedimeve.
I pyetur rreth komenteve të fundit të zotit Waltz, një burim i qeverisë ukrainase tha se të dyja palët ishin “ende në bisedime”.
“Ukraina nuk ka asnjë kartë për të luajtur”
Duke folur gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë të premten, Presidenti Trump kritikoi zotin Zelenskiy.
“Kam pasur bisedime shumë të mira me Putinin dhe jo aq të mira me Ukrainën”, tha Presidenti Trump. “Ata (Ukraina) nuk kanë asnjë kartë për të luajtur, por po luajnë fort”, shtoi ai.
Qeveria gjermane njoftoi të premten se Kancelari gjerman Olaf Scholz kishte zhvilluar një bisedë telefonike me zotin Zelenskiy dhe se kishin ranë dakord se Ukraina duhet të ketë një vend në tavolinën e bisedimeve të ardhshme për paqe.
Por Presidenti polak Andrzej Duda i kërkoi zotit Zelenskiy të premten të ruajë qetësinë dhe të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me Presidentit Trump.
“I sugjerova Presidentit Zelenskiy të qëndrojë i përkushtuar ndaj kursit të bashkëpunimit të qetë dhe konstruktiv me Donald Trump-in”, shkruante zoti Duda në platformën e mediave sociale ‘X’.
“Nuk kam dyshim se Presidenti Trump udhëhiqet nga një ndjenjë e thellë përgjegjësie për stabilitet dhe paqe globale”, shtoi ai.
Zoti Duda, mandati i të cilit përfundon në vitin 2025, ishte një nga partnerët ndërkombëtarë të preferuar të zotit Trump gjatë administratës së tij të parë (2017-2021) dhe ata thonë se janë miq.
Presidenti i Polonisë do të takohet me Presidentin Trump në Uashington të shtunën, njoftoi agjencia shtetërore polake e lajmeve ‘PAP’.
Zoti Zelenskiy tha të premten se kishte diskutuar gjatë një telefonate me zotin Duda lidhur me bisedimet me ekipin amerikan të udhëhequr nga i dërguari për Ukrainën, Keith Kellogg.
“Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë me ne. Një paqe e fortë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes unitetit”, shkruante zoti Zelenskiy në rrjetin social X./voa