Autoritetet në një qytet në Amazonën braziliane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi në të janë hapur gropa të mëdha që kanë kërcënuar qindra shtëpi.

Disa ndërtesa në Buriticupu, në shtetin Maranhao, tashmë janë shkatërruar dhe rreth 1,200 njerëz të një popullsie prej 55,000 banorësh rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre në një gropë që zgjerohet, shkruan the Guardian.

“Dimensionet janë zgjeruar në mënyrë eksponenciale, duke iu afruar ndjeshëm më afër shtëpive”, tha një dekret emergjent i lëshuar nga qeveria e qytetit në fillim të këtij muaji.

Bëhet e ditur se gropat e fundit janë një përshkallëzim i një problemi që banorët e Buriticupu e kanë parë të shpaloset për 30 vitet e fundit, pasi shirat gërryen ngadalë tokat e pambrojtura nga natyra e tyre, plus punët ndërtimore të planifikuara keq dhe shpyllëzimi.

Erozione të mëdha të tokës njihen në Brazil si “voçoroca”, një fjalë me origjinë indigjene që do të thotë “të gërryesh tokën”.

“Problemi përkeqësohet në periudhat e shiut të dendur si tani”, tha Marcelino Farias, gjeograf dhe profesor në Universitetin Federal të Maranhaos.

Ndryshe, Sekretari i Punëve Publike të Buriticupu dhe inxhinieri Lucas Conceiçao tha se bashkia nuk ka kapacitetin për të gjetur zgjidhje për situatën komplekse të gropave.