Autoritetet britanike po vijojnë kërkimet intensive për gjetjen e një vrapueseje të re, e cila është zhdukur prej pesë ditësh.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar dronë të specializuar dhe dhjetë qen nuhatës, ndërsa zona e kontrolluar ka shtrirë mbi 100 milje në verilindje të Anglisë.

Jenny Hall, 23 vjeç, u pa për herë të fundit duke u larguar nga shtëpia e saj në Tow Law, County Durham, të martën pasdite, pak pas orës 15:00.

Mjeti i saj, një Ford Focus i kuq, u gjet më vonë i parkuar pranë rrugës B6278, në një zonë të largët mes Eggleston dhe Stanhope.

Në kërkimet e saj janë përfshirë 60 vullnetarë të shpëtimit malor, por policia ka kërkuar që publiku të mos përfshihet në mënyrë të pavarur në operacion, për të shmangur shpërqendrimin e qenve nuhatës të trajnuar.

Policia e Durhamit, ekipet e shpëtimit malor dhe mbështetja ajrore e HM Coastguard po vazhdojnë operacionin, duke kontrolluar në detaje zonën e pyjeve të largëta dhe terrenet malore të vështira.

Të premten, kërkimet u përqendruan në shtigjet e vrapimit të Hamsterley Forest, një zonë që Hall e frekuentonte shpesh.

Sipas Dailymail familja dhe miqtë e saj janë gjithashtu duke ndihmuar në kërkime, ndërsa policia ka konfirmuar se operacioni po vijon pavarësisht moti të vështirë dhe terrenit sfidues.

Përshkrimi i të zhdukurës

Jenny Hall përshkruhet si një vajzë e bardhë, e gjatë rreth 1.83 metra, me flokë kafe të errët, të cilat mund t’i ketë pasur të lidhura bisht. Në momentin e zhdukjes, ajo kishte veshur një bluzë blu me kapuç të markës John Deere, pantallona të errëta sportive dhe mund të ketë pasur me vete një xhaketë jeshile.

Deklarata e Policisë

Një zëdhënës i Policisë së Durhamit deklaroi:

“Ekipet e specializuara me pajisje të avancuara do të vazhdojnë kërkimet për Jenny Hall edhe sot. Oficerët, të ndihmuar nga ekipet me përvojë të shpëtimit malor, po punojnë intensivisht në Hamsterley Forest dhe zonat përreth për të gjetur çdo gjurmë që mund të ndihmojë në lokalizimin e saj. Në këtë operacion janë përfshirë edhe dronë të specializuar për një kërkim të detajuar.”

Autoritetet falënderuan publikun për mbështetjen e tyre, por i bënë thirrje qytetarëve të mos përfshihen vetë në kërkime, pasi kjo mund të ndikojë në efikasitetin e operacionit dhe të shpërqendrojë qentë nuhatës.

Hetuesit e inteligjencës dixhitale kanë analizuar telefonin celular të Hall, orën e saj inteligjente dhe aplikacionet e saj të vrapimit, por ende nuk kanë gjetur ndonjë të dhënë domethënëse për vendndodhjen e saj.

Shefi i Inspektoratit, Dean Haythornthwaite, deklaroi:

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për Jenny që nga momenti kur u raportua e zhdukur të martën dhe po eksplorojmë të gjitha pistat e mundshme. Po përqendrojmë kërkimet në zonat ku e dimë se ajo pëlqente të vraponte dhe jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për ta gjetur.”

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse dikush e sheh Jenny Hall, të telefonojë menjëherë numrin e emergjencës 999 dhe të raportojë informacionin e tyre.