Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar këtë të hënë një bisedë telefonike me liderin kinez Xi Jinping.

Biseda u konfirmua si nga Kremlini ashtu dhe nga autoritetet në Pekin dhe ndodhi në përvjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Sipas mediave të huaja, biseda telefonike u kërkua nga Putin, i cili e informoi Xi Jinping për bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u zhvilluan javën e kaluar në Arabinë Saudite.

Putin theksoi se ishte “i përkushtuar për të eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës” dhe se synonte të arrinte një plan paqeje të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Përmes një deklarate për media Kremlini njoftoi se pala kineze shprehu mbështetje për dialogun që ka nisur mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e lidhjes strategjike midis politikës së jashtme të dy vendeve.

Deklarata gjithashtu theksoi se kjo lidhje ka një natyrë strategjike dhe është e pavarur nga ndikimi i jashtëm, duke shtuar se nuk është e orientuar kundër askujt.

“Biseda ishte e ngrohtë dhe miqësore”, tha Kremlini.

Nga ana tjetër, media shtetërore kineze raportoi gjithashtu për këtë nisedë, ku theksoi forcën dhe vlerën strategjike të marrëdhënieve midis Kinës dhe Rusisë.

“Presidenti Xi Jinping theksoi se Kina dhe Rusia janë “fqinjë të mirë që nuk mund të ndahen””, thekson deklarata.