Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, arriti të hënën në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me homologun amerikan, Donald Trump, në të cilat pritet të përfshihen mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë në kohën e dallimeve të qarta për atë se si të ecet tutje.

Macroni u bë udhëheqësi i parë evropian që e viziton Trumpin që nga rikthimi i tij në pushtet para më shumë se një muaji. Dy presidentët pritet të marrin pjesë në një lidhje mes vendeve të Grupit G7, të zhvillojnë bisedime dypalëshe dhe më pas të dalin në një konferencë të përbashkët për gazetarë të caktuar për orën 14:00 sipas kohës lokale (20:00 sipas zonës kohore të Kosovës), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjithashtu pritet ta vizitojë Trumpin më vonë këtë javë, në kohën e alarmit në Evropë për shkak të qëndrimit të ashpërsuar të Trumpit ndaj Ukrainës dhe uverturave ndaj Moskës për konfliktin 3-vjeçar.

Pritet që Macroni dhe Starmeri të përpiqen ta bindin Trumpin për të mos nxitur për arritjen e një marrëveshjeje të armëpushimit me çfarëdo çmimi me homologun rus, Vladimir Putin, ta mbajë Evropën të përfshirë dhe të diskutojnë për garanci ushtarake për Ukrainën.

Macroni po mundohet që ta kapitalizojë marrëdhënien e tij me Trumpin që e ka ndërtuar gjatë mandateve të tyre të para presidenciale. Ai ka thënë se pajtueshmëria me një marrëveshje të keqe do të përbënte kapitullim të Ukrainës dhe do të sinjalizonte dobësi para armiqve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kinën dhe Iranin.