Rama “virtualisht” në Samitin e Ukrainës: Evropës si kontinent i duhet një hendek i gjatë diplomacie, me përfshirjen e Britanisë dhe Turqisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i pranishëm virtualisht përmes video-konferencës në samitin e thirrur në Kyiv, në përvjetorin e pushtimit rus.
“Nuk mund ta shpengoj veten, pa ngritur një pyetje, sepse duke ndjekur të gjithë takimin më duket sikur asgjë nuk ka ndodhur. Më duket sikur ky takim është një regjistrim i një takimi para tre muajsh, apo një vit më parë”, u shpreh fillimisht kreu i Qeverisë.
Ai shtoi se “diçka e rëndësishme ka ndodhur siç e dini të gjithë”, duke iu referuar me gjasë zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump.
“Si do të mbështetet në mënyrë efikase Ukraina dhe sa mund të jetë Evropa si kontinent, efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të marrë më të mirën nga ajo që po ndodh, një negociatë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe nuk jam i sigurt se vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes dhe shpenzimeve ushtarake, ne po e kuptojmë të gjithë natyrën e çështjes”, vijoi Rama.
Më tej, kryeqeveritari ndau edhe një mesazh të cilin ia kishte thënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë bisedës së fundit telefonike mes palëve.
“Ajo që ndava me Volodymyr-in (Zelensky) në bisedën tonë, dua ta ndaj me ju se në arsyetimin tim Evropa si kontinent duhet të ketë një hendek të gjatë diplomacie, duke përfshirë pa dyshim Britaninë e Madhe, Turqinë dhe BE-në”, theksoi Rama.
Sipas tij, do të ishte e paqëndrueshme me opinionin publik, veçanërisht në anën perëndimore të kontinentit, “duke vazhduar të themi atë që po themi prej kohësh dhe në ndërkohë të shikosh SHBA-të dhe Rusinë që arrijnë një marrëveshje dhe Ukraina të lihet jashtë ose t’i imponohet diçka që mund të jetë krejtësisht e padrejtë”.
“Ne kemi qenë për një kohë të gjatë në një auto-pilot amerikan, tani auto-piloti me sa duket është fikur, askush nuk e di për sa kohë dhe besoj se është koha për të pasur një reflektim më të thellë sesa thjesht atë që do të bëjmë në mbështetje apo shpenzime ushtarake”, ishte mesazhi ndër rreshta i kryeministrit shqiptar.
Një duzinë liderësh nga Evropa dhe Kanadaja mbërritën në kryeqytetin e Ukrainës me tren të hënën në mëngjes për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit rus.
Vizitorët u përshëndetën në stacion nga ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha dhe shefi i kabinetit të presidentit Andrii Yermak.
Midis tyre ishin presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Në një deklaratë të përbashkët, presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe shefja e BE-së, Ursula von der Leyen kanë thënë “në një mjedis sfidues ndërkombëtar dhe gjeopolitik, ne theksojmë rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit transatlantik dhe global me Ukrainën”.
Duke i nderuar ata që kishin humbur jetët në konflikt dhe duke thënë se “Rusia dhe njerëzit e saj po paguajnë një çmim për veprimet e liderit të tyre”, thuhet në deklaratë.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje financiare të rregullt dhe të parashikueshme, duke përfshirë rindërtimin e vendit pas luftës. Ne kemi ndërmarrë veprime të paprecedentë në nivel të BE-së për të rritur prodhimin evropian të industrisë së mbrojtjes dhe ne do të vazhdojmë të rrisim kapacitetin tonë. Kjo do të na lejojë të rrisim mbështetjen tonë ushtarake dhe bashkëpunimin me Ukrainën, duke forcuar njëkohësisht gatishmërinë tonë mbrojtëse dhe sovranitetin evropian”.