Marketet do të duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve në internet, në përputhje me ndryshimet më të reja të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, të miratuara sot në Kuvend.

Ligji u propozua nga një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së, të cilët thonë se presin më shumë transparencë në çmimet e marketeve, rritje të konkurrencës dhe ulje të çmimeve.

Ndryshimet ligjore parashikojnë:
(1) Tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj që ushtrojnë veprimtari tregtare me pakicë, sipas Klasifikimit Kombëtar të Veprimtarive, janë të detyruar të publikojnë në faqen e tyre të internetit çmimin aktual të shitjes ose çmimin për njësi, për çdo objekt tregtar që kanë dhe për çdo produkt që ofrojnë për shitje.

(2) Përditësimi i çmimeve të përmendura në paragrafin (1) të këtij neni do të bëhet çdo ditë.

“Tani qytetarët do të mund të zgjedhin ku do të shpenzojnë paratë e tyre, sepse nuk është normale që të kemi çmime në markete që janë më të lartat në nivel ballkanik, madje më të larta se në disa vende të BE-së,” tha Bojan Stojanovski, një nga propozuesit e ligjit.

Me këto ndryshime ligjore, inspektorëve u jepet e drejta të kryejnë kontrolle në rast se konstatojnë mospërputhje të çmimeve.