Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot pati takim me shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtare në vend, Anet Kjobe dhe përfaqësuesin e lartë rajonal të FMN-së për Ballkanin Perëndimor dhe shef i Zyrës në Shkup, Sebastian Sosa.

Në takim është biseduar për situatën ekonomike dhe zbatimin e reformave, masat që duhet të ndërmerren për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar në kushte të luhatjeve në ekonominë globale, si dhe për bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, njoftoi kabineti i presidentes Siljanovska – Davkova.

Duke pasur parasysh se luhatjet kanë ndikim të rëndësishëm ndaj ekonomive, veçanërisht të vendeve më të vogla, presidentja u falënderua për mbështetjen e deritanishme financiare të FMN-së për zbutjen e goditjeve globale. Në atë drejtim përfaqësuesit e FMN-së i ndanë parashikimet dhe pikëpamjet e tyre për masat dhe politikat e deritanishme.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për ndryshimet në Ligjin për Bankën Popullore, në pjesën e mënyrës së shpërndarjes së fitimit. Presidentja tha se reformat strukturore dukshëm vendosin nevojën për debat dhe përfshirje më të madhe të ekspertëve në krijimin e zgjidhjeve të mira dhe të qëndrueshme.

Në kuadër të nevojës për prioritizimin e shpenzimeve, me qëllim uljen e efekteve pro-inflacioniste, në takim u theksua rëndësia e investimit në infrastrukturë dhe digjitalizim, si dhe në arsim, shëndetësi dhe në luftën kundër korrupsionit. Për bashkëbiseduesit, agjenda e reformave të Maqedonisë së Veriut hap mundësi për zhvillimin e vendit. Presidentja theksoi se bilateralizimi i integrimeve evropiane të Maqedonisë po i ngadalëson reformat dhe se është i domosdoshëm delateralizimi i procesit të zgjerimit.

Ajo e riafirmoi qëndrimin se investime më të mira janë ato në arsim, shkencë, infrastrukturë dhe kulturë. Kjo, sipas saj, do ta ulë largimin e kuadrove cilësorë dhe do t’i nxisë të rinjtë që potencialet e tyre t’i shfrytëzojnë në vend. Presidentja e njeh diasporën si faktor të rëndësishëm në ekonominë vendore, thuhet në kumtesën e kabinetit të Siljanovska-Davkova.