Gjykata e Bosnje-Hercegovinës do të shpallë këtë të mërkurën aktgjykimin për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiç, të cilët akuzohen për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiç akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

Vuçiç dhe Dodik bisedojnë në Beograd për “të ardhmen e Serbisë dhe Republikës Sërpska”
Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

Në fjalën përfundimtare, më 19 Shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.

Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë.

Gjyqi ndaj Dodikut dhe Llukiçit filloi më 5 shkurt 2024 dhe është shoqëruar me akuza nga mbrojtja ndaj Gjykatës së Bosnjës, gjyqtarëve dhe prokurorëve për anshmëri, si dhe kërkesa për zhvendosjen e procesit gjyqësor në një gjykatë në Banjallukë.

Çdo seancë është ndjekur nga dhjetëra mbështetës të Dodikut nga e gjithë Bosnja, të cilët pretendonin se kishin ardhur me vullnetin e tyre përpara ndërtesës së Gjykatës në Sarajevë.

Ndërsa pritet vendimi i këtij gjyqi njëvjeçar, presionet mbi Gjykatën janë shtuar. Kështu, udhëheqja e Republikës Sërpska ka kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, nëse Dodik dënohet.

Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Banjallukë u mbajt një tubim mbështetjeje për institucionet e Republikës Sërpska, ndërsa një tubim tjetër është planifikuar për të mërkurën.

Më 24 shkurt, Qeveria e Republikës Sërpska miratoi një dokument të titulluar “Informacion mbi rrëzimin e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, masat dhe detyrat për mbrojtjen e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës”, të cilin e dërgoi në Kuvendin e këtij entiteti.

Në dokument thuhet, ndër të tjera, se Republika Sërpska do të ndërmarrë masa përmes mjeteve politike dhe ligjore “nëse dhuna ligjore ndaj Republikës Sërpska nuk ndalet dhe nëse nuk ka vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare për ta kthyer Bosnjën në bazat e saj dhe për ta transformuar në një shtet ku respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Dejtonit”.

Mesazhet e EUFOR-it dhe NATO-s

Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, ambasadorët e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) u bënë thirrje politikanëve në Bosnje-Hercegovinë që të përmbahen nga presionet dhe kërcënimet politike, si dhe të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, Bordi Drejtues i PIC-it konfirmoi përkushtimin ndaj integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, si një shtet unik dhe sovran, i përbërë nga dy entitete, dhe Distriktit Bërçko si një njësi administrative e veçantë, tha për gazetarët Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

Schmidt u dërgoi një mesazh qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës se bashkësia ndërkombëtare mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se “për Bosnje-Hercegovinën nuk ka negociata, dhe se ajo do të vazhdojë të ecë përpara në rrugën evropiane”.

Ai, gjithashtu, tha se e kupton shqetësimin e shumë qytetarëve për zhvillimet e fundit.

“Jini të sigurt se bashkësia ndërkombëtare mbetet vigjilente dhe e kujdesshme. Marrëveshja e Dejtonit dhe institucionet shtetërore vazhdojnë të jenë të mbrojtura dhe duhet të respektohen”, tha Schmidt pas seancës së Bordit Drejtues të PIC-it, i cili përbëhet nga ambasadorë të vendeve perëndimore, të Organizatës së Konferencës Islamike dhe të Rusisë, e cila nuk merr më pjesë në punimet e këtij organi.

Përndryshe, PIC siguron udhëzime politike për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje-Hercegovinë.

Takimi i ambasadorëve evropianë dhe qëndrimi i BE-së

Njëkohësisht, të martën u mbajt një takim i ambasadorëve evropianë me kryesuesen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës (BeH), Zhelka Cvijanoviç.

Në këtë takim u theksua se veprimet që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet janë të papranueshme për Bashkimin Evropian.

Takimit i priu edhe Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje, Luigi Soreca.

Soreca shkroi në rrjetin social X se, ndër të tjera, u theksua që liderët politikë duhet të respektojnë rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës, të punojnë për dialog dhe kompromis, si dhe të respektojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje shtoi, gjithashtu, se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnje – Hercegovinës.

“BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të vendit si një shtet unik dhe i bashkuar. Bosnje-Hercegovina ka një mundësi historike për të hapur negociatat për anëtarësim në BE”, theksoi Soreca në rrjetin social X.

Reagimet nga Serbia dhe Hungaria

Gjykimi ndaj Dodikut dhe Llukiçit ka ngjallur reagime edhe nga përfaqësuesit e qeverive të Serbisë dhe Hungarisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 17 shkurt në Budapest se shpreson që “në Bosnje nuk do të merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

Dy ditë para seancës së fundit, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, së bashku me të gjithë udhëheqësin e Republikës Sërpska, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës.

Si erdhi deri te procesi gjyqësor?

Në seancat e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, në qershor të 2023, u miratuan ligje jokushtetuese, sipas të cilave aktet juridike të Përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të cilat janë përfundimtare dhe detyruese, sipas Kushtetutës së vendit, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, shfuqizoi më 1 korrik 2023 kompetencat e Bonit, dy ligjet e entitetit dhe bëri ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, duke e bërë refuzimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë një vepër penale.

Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet që shpallnin këto ligje të vlefshme, dhe ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Prokuroria e Bosnjës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe Llukiçit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

Dodik më parë ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit, por u ka bërë thirrje qytetarëve – që për më shumë se një vit janë mbledhur para Gjykatës së Bosnjës për ta mbështetur – të marrin pjesë në mitingun e planifikuar të mërkurën në Banjallukë.

Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, dhe pas paraqitjes së ankesave, Këshilli i Apelit i Gjykatës së Bonjës pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda rreth tre muajsh e gjysmë.

Ky është procesi i parë gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë për veprën penale të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë./REL