Takimi bilateral i Delegacionit Parlamentar, të kryesuar nga Kryetari Gashi, me Kryetarin e Dhomës së Poshtme të Parlamentit Britanik

Në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar të Delegacionit Parlamentar nga 25 deri më 27 shkurt, që është vizita e parë zyrtare e një delegacioni nga vendi ynë në Parlamentin Britanik, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, me nënkryetarin e Kuvendit, Jovan Mitreski; kryetarin e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Nikolla Micevski; zëvendëskoordinatoren e GP-së së Koalicionit Fronti Evropian, Arbana Pasholli dhe sekretaren e përgjithshme të Kuvendit, Marina Dimovska, zhvilluan takim bilateral me Ser Lindzi Hojël, Kryetar i Dhomës së Poshtme të Parlamentit Britanik.
Ser Hojël e përshëndeti ngrohtësisht Delegacionin dhe iu referua situatës aktuale gjeopolitike, e cila padyshim prek të gjitha vendet. Theksoi se luftërat dhe agresionet nuk janë zgjidhje për askënd dhe të gjithë së bashku duhet të punojmë për t’i tejkaluar këto situata dhe për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme me parlamente të fuqishme. Sa i përket fuqisë parlamentare, bëri thirrje për rritje të transparencës, sepse demokracia është shumë më e mirë kur është transparente.
Kryetari Gashi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve, në kontekstin politik dhe ekonomik, dhe e theksoi përkushtimin për të kultivuar partneritetin shumëvjeçar të reflektuar përmes marrëdhënieve të forta dhe të guximshme. Falënderoi vendin për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian dhe aleancën e fortë në Aleancën e NATO-s.
Lidhur me bashkëpunimin parlamentar, të dy bashkëbiseduesit e theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet grupeve të bashkëpunimit, përmes shkëmbimit të përvojave nga puna parlamentare dhe aplikimit efikas të përvojave britanike në fusha të veçanta me interes për Kuvendin e Maqedonisë. Ser Hojël shprehu gatishmërinë për mbështetje konkrete britanike përmes asistencës së lartë të ekspertëve për deputetët dhe nëpunësit në bazë afatgjate.
Kryetari dhe Delegacioni e theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të Kuvendit me Fondacionin Vestminster për Demokraci, i cili ka realizuar një numër të madh projektesh që kanë përmirësuar punën, si të deputetëve, ashtu edhe të shërbimit parlamentar.
Mirënjohja iu shpreh Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e saj të fortë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së, e cila e konsideron integrimin evropian si një mënyrë për të arritur stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. U bisedua edhe për aleancën e dy vendeve në Aleancën e NATO-s, e cila është përfitim për të dy vendet. Kryetari Gashi theksoi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje e sigurisë, së cilës duhet t’i kushtohet vëmendje e duhur. E arsyetoi shembullin e vendit të tij, i cili përkundër të gjitha lëshimeve që ka bërë, të cilat kanë prekur identitetin maqedonas dhe kanë ndryshuar emrin e vendit, ka siguruar hyrjen në NATO, por dyert për në BE kanë mbetur të mbyllura.
Kryetari Ser Hojël e theksoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe fuqinë e butë të ndikimit dhe u angazhua sinqerisht për ngritjen e këtyre çështjeve të rëndësishme në nivel më të lartë dhe për t’u dhënë zë atyre në takimet me kolegët dhe personalitetet e tjera të larta politike.
Pas takimit, Ser Hojël e ftoi Kryetarin Gashi që të nënshkruhet në Librin e Mysafirëve, i cili u pasua me shkëmbimin e dhuratave përkatëse midis dy kryetarëve.
Gjatë pritjes së mbajtur për nder të Kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi dhe Delegacionit, u shkëmbyen dolli të përzemërta.
Me ardhjen e Kryetarit Gashi dhe Delegacionit, në pjesën “New Palace Yard” të Pallatit të Vestminsterit u bë pritja formale me ngritjen e flamurit të Maqedonisë.
Pas mbarimit të pjesës zyrtare të programit, Delegacioni mori pjesë në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve nga galeria e Kryetarit.