Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me ambasadorin e sapoemëruar të Japonisë në Maqedoninë e Veriut, Secuko Kavahara. Në takim u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ia siguron Maqedonisë së Veriut, si dhe mundësitë e ardhshme për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Ministri Murtezani theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Ministrisë për Çështje Evropiane dhe Ambasadës së Japonisë, si dhe mbështetjen e rëndësishme që Japonia i siguron vendit në kuadër të Ndihmës zyrtare për zhvillim, në vlerë prej mbi 425 milionë euro. Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi bilateral, i cili aktualisht po realizohet përmes mbështetjes teknike, programeve për zhvillim të burimeve njerëzore dhe atij në nivel lokal. Ministri Murtezani theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencinë Japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar (JICA) dhe shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin afatgjatë nga pala japoneze.
Bashkëbiseduesit përshëndetën hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për bashkëpunim teknik vitin e kaluar, e cila mundëson koordinim më efikas për ndihmën zhvillimore. Ambasadorja Kavahara theksoi se Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm për Japoninë, me të cilën ndan vlera të përbashkëta. Ajo theksoi se stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor, si dhe euro-integrimi i rajonit, janë të rëndësisë kyçe jo vetëm për Evropën, por edhe për gjithë botën.