Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të mërkurën ngriti dyshime nëse do të kishte kuptim ftesa për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të takohet me homologun e tij amerikan, Donald Trump, duke i marrë parasysh komentet e ukrainasit se marrëveshja për minerale nuk është e kompletuar.

“Nëse udhëheqësi ukrainas thotë se marrëveshja nuk është e finalizuar, nuk shoh pse do të kishte kuptim një ftesë” – i tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë agjencisë së lajmeve “Reuters”.

“Është një pritje që ardhja e tij (në Uashington) është që të njohë një pozicion përfundimtar (rreth marrëveshjes për minerale) dhe ai nuk është në një pozicion përfundimtar në vetë fjalët e veta në këtë përshkrim të ri fjalësh” – shtoi ai, duke iu referuar Zelenskyt.

Zyrtari amerikan tha më tej se komentet më të fundit të Zelenskyt nga Kievi lënë të kuptohet se marrëveshja për mineralet nuk është e kompletuar.

Të mërkurën, Zelensky tha se ai kishte arritur një marrëveshje “preliminare” me ShBA-në për minerale.