Mediumi gjerman WDR ka raportuar vdekjen e njërit prej të plagosurve sot në Bielefeld të Gjermanisë, ata janë familjarë të personit të dyshuar për vrasjen e boksierit shqiptar, Besar Nimani.

Ky medium, raporton se janë plagosur katër personave të cilët gjatë ditës janë dërguar në spital për trajtim. Por, mediumi gjerman raporton se “besohet se një nga të plagosurit ka vdekur”.

Sipas informacioneve të WDR, i dyshuari që ka qëlluar është vëllai i boksierit të vrarë Besar Nimani.

Zona ku ndodhën plagosjet u rrethua për orë të tëra.

Boksieri Besar Nimani u vra me 16 të shtëna në qendër të qytetit Bielefeld rreth një vit më parë. Sot në Gjykatën Rajonale të Bielefeldit në orën 09:00 ka nisur procesi gjyqësor kundër vrasësit të dyshuar. Sipas policisë, krimi i sotëm mësohet se ka lidhje me këtë gjykim.

Lidhur me rastin është prononcuar vëllai i boksierit Nimani, Berati, i cili ka thënë se nuk ka lidhje me plagosjet.