Policia holandeze ka arrestuar gjashtë adoleshentë si pjesë e një hetimi për tentativën e vrasjes së një djali 11-vjeçar, raportojnë mediat holandeze.
Personat e arrestuar janë të moshës nga 12 deri në 16 vjeç, tha policia, duke shtuar se disa prej tyre janë dorëzuar vetë në polici dhe se janë akuzuar për tentativë vrasje dhe posedim të armëve të zjarrit dhe municionit, transmeton Telegraaf holandez.
Policia nuk e ka përjashtuar mundësinë që për këtë rast të arrestohet edhe dikush tjetër.
Pasi një djalë i plagosur rëndë u gjet në një shtëpi në lagjen Asterlo të Roterdamit, policia nisi një hetim të gjerë duke përfshirë rreth njëzet detektivë.
Sipas policisë, djali i plagosur me armë zjarri kishte ardhur për të vizituar një shokun e tij dhe ende nuk dihen të gjitha rrethanat e ngjarjes. Djali u dërgua në spital në gjendje të rëndë.