Në Tetovë nesër përsëri do të mbahet gjykimi për vdekjen e 23 vjeçares Teodora Ristovska, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në vitin 2022. Ajo u godit nga një makinë në një vendkalim për këmbësorë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë për shkak të plagëve të marra.

Familja e Teodorës informojnë se gjykimi filloi pothuajse një vit më vonë në korrik të vitit 2023, ndërsa në nëntor pasi pranoi fajësinë shoferi, ai u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg.

“I akuzuari u ankua në Gjykatën e Apelit në Gostivar. Si rezultat i kësaj, Gjykata e Apelit uli dënimin në dy vjet burg. Ai ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim të aktgjykimit në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut, e cila ka vendosur përsëri të anulojë aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim”, theksoi Eva Ristovska, motra e Teodorës.

Familja vlerëson se po përballet me një padrejtësi sepse shoferi nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, edhe pse aksidenti ka ndodhur gati tre vjet më parë.

“Kërkojmë drejtësi dhe transparencë në proces. Për vendimet jemi informuar nga mediat. Pas gati tre vitesh beteje ligjore, duke zgjatur dhe duke i shkaktuar dhimbje shtesë familjes sonë, ne jemi kthyer në fillim. Pyesim – edhe sa duhet të presim? Edhe sa kohë na duhet të luftojmë për diçka që është e qartë?”, tha Eva Ristovska.
Teodora ishte e lënduar rëndë kur më 15 gusht të vitit 2022 u përplas nga një automjet “BMV” i drejtuar nga 49 vjeçari në atë kohë M.P. nga Reçica e Madhe. Më 18 gusht ajo iu nënshtrua plagëve të marra në Qendrën Klinike në Shkup.