Kryeministri hungarez Viktor Orbán tha se dje në Londër është marrë vendimi për vazhdimin e luftës në Ukrainë. Në samitin ku morën pjesë liderët e nëntëmbëdhjetë shteteve, u vendos që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë dhe se ri-armatimi do të jetë i nevojshëm për sigurinë e Europës.
„Në Londër, liderët evropianë vendosën që lufta është e nevojshme, jo paqja. Ata vendosën që Ukraina të vazhdojë luftën“, shkroi kryeministri hungarez në Facebook. Ai shtoi se kjo është „e keqe, gabim dhe e rrezikshme“ dhe se Hungaria mbetet „në anën e paqes“.
Në takimin, i cili ishte organizuar nga kryeministri britanik Kier Starmer, morën pjesë 19 liderë, kryesisht kryetarë shtetesh dhe qeverish evropianë, por gjithashtu edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Pas samitit, kryeministri britanik tha në një konferencë për media se ishin dakorduar për disa masa të rëndësishme për Ukrainën.
Vazhdimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe rritja e presionit ekonomik ndaj Rusisë ishin disa nga pikat kyçe. Për më tepër, u theksua se çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, duke siguruar që Ukraina të jetë e pranishme në të gjitha negociatat paqësore. Po ashtu, ishte e rëndësishme të forcoheshin kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës për të parandaluar ndonjë invadim të mundshëm në të ardhmen. Krijimi i një “koalicioni të të gatshmeve” do të shërbente për të mbrojtur marrëveshjen për Ukrainën dhe për të garantuar paqen pas arritjes së një marrëveshjeje.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se javën e ardhshme do të prezantojë një plan për armatosjen e Evropës, me qëllim forcimin e sigurisë së Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu theksoi se Ukraina duhet të armatoset në një nivel që do t’i mundësojë mbrojtjen nga çdo sulm të mundshëm.
Nga ana e tij, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se “Europa u zgjua” dhe se askush në Perëndim nuk kishte ndërmend të kapitullojë para “kërkesave dhe agresionit” të Vladimir Putinit.