E kritikojnë për peshën dhe dukjen, Bebe Rexha përgjigjet me një video: Jam e vetëdijshme, mos u ndjeni keq për mua

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka publikuar së fundmi një video në rrjetin social TikTok, ku u është drejtuar fansave të saj me një mesazh të sinqertë dhe të fuqishëm.
Në video, artistja rrëfen përvojën e saj të fundit në Dubai, ku ka marrë pjesë në një event bamirësie, duke e përshkruar atë si një moment të bukur dhe domethënës për të.
Pas rikthimit nga udhëtimi, ajo tregon se miqtë e saj i kanë sugjeruar të shohë një klip që ishte bërë viral në internet. “Unë pashë klipin, lexova komentet sepse jam kurioze dhe ju ishit shumë të mirë me mua, shumë mbështetës”, shprehet ajo në video.
Interpretuesja e hitit “I’m Good (Blue)” ndau gjithashtu një mesazh të rëndësishëm mbi vetëbesimin dhe qëndrueshmërinë e saj përballë sfidave. “Dua të them disa gjëra. Së pari, nuk më shqetëson aspak. Së dyti, jam shumë e vetëdijshme për gjithçka. E di që kam shtuar në peshë, e di që kam kaluar shumë në jetë. E di që njerëzit i njohin këngët e mia, por nuk më njohin mua dhe nuk kam marrë vlerësimin që meritoj. Por në vend që kjo të më lëndojë, më ka bërë të ndihem më e fuqishme”.
Ajo gjithashtu konfirmoi se është duke punuar për projekte të reja muzikore dhe se ka vendosur gjithë emocionet e saj në muzikë.
“Dua t’ju them që nuk dua të ndiheni keq për mua, sepse premtoj që ndihem më e fortë se kurrë. Ju dua dhe ju falënderoj”, përfundon ajo mesazhin e saj për fansat.
Foto: Bebe Rexha/Instagram
Videoja e saj ka marrë reagime të shumta pozitive nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar sinqeritetin dhe forcën e artistes në përballjen me kritikat dhe vështirësitë.
Kjo nuk është hera e parë që Bebe Rexha flet hapur për çështje të tilla, duke u bërë një zë i fuqishëm për vetëpranimin dhe fuqizimin e grave në industrinë e muzikës.