Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të vendosë këtë javë që t’i bëjë hapat e parë për shuarjen e Departamentit të Arsimit, thanë disa persona të afërt me çështjen, përderisa po synon që ta zvogëlojë në masë dramatike qeverinë federale.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë përgatitur një urdhër ekzekutiv që e udhëzon sekretaren e Arsimit, Linda McMahon, që ta fillojë procesin e shpërbërjes së këtij departamenti, thanë burimet. Trumpi mund ta nënshkruajë këtë dokument që ditën e enjte, por planet nuk janë finalizuar ende, raporton televizioni CNN.

Trumpi për një kohë të gjatë e ka sinjalizuar synimin e tij për ta mbyllur Departamentin e Arsimit, por zhbërja e plotë e këtij dikasteri do ta paraqesë nevojën për veprim nga Kongresi, th zonja McMahon më herët këtë vit gjatë seancave për konfirmimin e saj në pozitën e sekretares për Arsim. Ajo u konfirmua në post të hënën.

Televizioni CNN më parë ka raportuar se administrata e Trumpit ishte duke draftuar një urdhër për ta nisur procesin e mbylljes së Departamentit të Arsimit. Trumpi gjithashtu planifikon që ta shtyjë Kongresin për ta miratuar legjislacionin rreth mbylljes së këtij departamenti.