Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, mbërriti të hënën, për një vizitë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë politikë, në një moment kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.
Aktualisht, po zhvillohet takimi me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, pas të cilit është planifikuar një konferencë për media.

Pas këtij takimi, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka mbërritur në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.

NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.

Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend. REL

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume