Bashkimi Demokratik për Integrim dënon fuqishëm aktin kriminal të shitjes së pronës publike në komunën e Tetovës nga udhëheqësia aktuale në fund të mandatit të saj, duke e konsideruar këtë si një rast flagrant të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Shitja e tokës ndërtimore me një çmim skandaloz, një mijë herë më të ulët se vlera e tregut, përbën një akt të pastër vjedhjeje të pronës publike dhe një sulm direkt ndaj interesave të qytetarëve të Tetovës. Kjo tregon nivelin alarmant të kriminalitetit institucional dhe papërgjegjshmërinë ekstreme të garniturës qeverisëse në këtë komunë.
Shitja e kësaj toke një kompanie që ndodhet në procedurë falimentimi me një çmim simbolik është një model i qartë i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Ky veprim tregon qartë për një strukturë të mirëorganizuar keqbërësish, që kanë uzurpuar institucionet publike për përfitime të paligjshme dhe personale.
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin menjëherë hetime të thelluara për të zbardhur deri në fund këtë skemë kriminale, si dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për këtë vjedhje të pronës publike. Hetimet duhet të përfshijnë të gjitha palët e përfshira dhe të zbulojnë lidhjet korruptive që kanë mundësuar këtë akt kriminal.
I bëjmë thirrje udhëheqësisë aktuale në komunën e Tetovës që të ndërpresë menjëherë praktikat korruptive dhe të paligjshme të marrëveshjeve të drejtëpërdrejta në fund të mandatit. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të përfituar personalisht në dëm të qytetarëve dhe në shkelje të rëndë të ligjit. Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari para drejtësisë!