Në bashkëpunim me Interpol Tirana Policia Kufitare ka arrestuar në Muriqan 51-vjeçarin N.A., i akuzuar për grabitje.

51-vjeçari banues në Maqedoninë e Veriut është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Shkupit në Qershor të vitit 2023 dhe i është caktuar masa “arrest me burg” për veprën penale “grabitja”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Shkupin, për ekstradimin e 51-vjeçarit, në Maqedoninë e Veriut.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në dalje të pkk Muriqan dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin maqedonas N. A., 51 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata Primare e Shkupit, më datë 01.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Grabitja”, thuhet në njoftimin e policisë.