Parashikimi i shkencëtarit italian: Bota mund të ngelë pa ujë të pijshëm, Venecia kalbet pas 60 vjetësh

Andrea Rinaldo, shkencëtari italian që ka fituar çmimin prestigjioz “Stockholm Water Prize”, i quajtur ndryshe “Nobeli i ujit” ka bërë një parashikim tronditës mbi të ardhmen e ujit të pijshëm dhe fatin e Venecias.
Ai thotë se ndryshimet klimatike janë të pandalshme dhe se do të sjellin përmbytje dhe thatësira gjithnjë e më të shpeshta.
Rinaldo thekson se shpërndarja e ujit në botë është e pabarabartë. Një person në Europë konsumon mesatarisht 260 litra ujë në ditë, ndërsa në Afrikën Subsahariane një grua ka në dispozicion vetëm 25 litra, aq sa mund të mbajë mbi kokë nga një pus i largët.
Italia ka një rrjet të degraduar ujor, me humbje deri në 66% të ujit në disa rajone. Ndërkohë, ndotja me kimikate si PFAS ka bërë që shumë burime ujore të jenë të kontaminuara përgjithmonë.
Sipas Rinaldos, njerëzimi nuk po e kupton sa i rëndësishëm është ky problem. I pyetur a do të vijojmë të kemi ujë për të pirë, Rinaldo nuk jep përgjigje të qartë, por thotë se skenarët janë “njëri më i keq se tjetri”.
Sipas tij, njerëzimi po ecën “me sytë mbyllur dhe dritat fikur” drejt një të ardhmeje të pasigurt.
Duke kujtuar përmbytjen katastrofike të Venecias më 1966, ai thekson se katastrofa të tilla do të ndodhin gjithnjë e më shpesh. “Ngrohja globale po ndryshon gjithçka në mënyrë shumë të shpejtë. Nuk mund ta ndalim më.”
Sipas tij, për shkak të emetimit të gazrave serë dhe rritjes së temperaturave, ngjarjet ekstreme klimatike do të bëhen më të zakonshme.
Rinaldo beson se nuk do të ketë marrëveshje globale efektive për ndalimin e ndryshimeve klimatike. Sipas tij, është e pamundur t’i thuash një miliard indianëve të mos përdorin ajrin e kondicionuar ose të ndalosh shpyllëzimin e Amazonës, kur vendet e pasura nuk janë shembull i mirë. Ndërkohë, popullsia e Afrikës po rritet me shpejtësi, dhe miliona njerëz do të migrojnë drejt qyteteve që ende nuk ekzistojnë.
Sipas profesorit, duhet një “Plan Marshall për ujin”, me investime të mëdha për menaxhimin e burimeve ujore. Për shembull, duhet të krijohen zona ku lumenjtë mund të dalin nga shtrati pa shkaktuar dëme katastrofike.
“Italia e llogarit sigurinë hidraulike bazuar në një ‘përmbytje dyqindvjeçare’, por tani këto përmbytje ndodhin shumë më shpesh”, paralajmëron ai.
Parashikimet për Venecian janë alarmante. Brenda 60 vjetësh, niveli i detit në Adriatik pritet të rritet me 70-80 cm, ndërsa toka poshtë qytetit po fundoset. Me këtë ritëm, sistemi i digave “Mose” do të duhet të mbyllet mbi 260 herë në vit, duke shkatërruar ekosistemin lagunar. Sipas Rinaldos, Venecia nuk do të fundoset si Atlantida, por do të kalbet, për shkak të depërtimit të ujit të kripur në themelet e ndërtesave