Në një vend ku sovraniteti është fituar me gjak dhe sakrificë, ku çdo centimetër i shtetit është ndërtuar mbi themelet e barazisë dhe përfshirjes qytetare, është e papranueshme që një deputete me mandat minoritar, si zonja Duda Balje, të vërë në tavolinën e pazareve politike kërkesa që rrezikojnë strukturën kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Kërkesa për krijimin e një komune boshnjake nuk është ngritur si iniciativë e pastër institucionale, as si projekt gjithëpërfshirës për mirëqenien e komunitetit që ajo pretendon të përfaqësojë. Përkundrazi – ajo është përdorur si kartë shantazhi, për të kushtëzuar votën e saj në procesin e formimit të qeverisë. Kjo është thelbi i një pazari që nuk i shërben as Kosovës, as boshnjakëve, por vetëm interesave personale dhe të errëta politike.
Në këtë pikë, jemi të detyruar të shtrojmë disa pyetje thelbësore:
A është kjo kërkesë një reflektim i vullnetit të sinqertë të komunitetit boshnjak? Apo është një projekt i importuar, që vjen përmes linjave të njohura të influencës rajonale? A synon kjo të vendosë një precedent të rrezikshëm, duke hapur derën për kërkesa të ngjashme nga komunitete të tjera – malazezë, turq, goranë – deri sa të arrijmë në një kanibalizim institucional të shtetit?
Analisti Qani Shabani, në një deklaratë të fundit është shprehur prerë:
“Kjo nuk është kërkesë e komunitetit boshnjak, por lojë politike personale. Kjo është formë presioni për të marrë benefite politike dhe për të shërbyer agjenda të fshehta që minojnë rendin kushtetues.”
Kushtetuta e Kosovës nuk lejon ndarjen e territorit mbi baza etnike. Kjo është një parim themelor që mbron vetë natyrën multietnike dhe unitare të shtetit tonë. Të kërkosh sot një komunë etnike, përmes presionit politik, është të vësh në pikëpyetje të gjithë përpjekjen shtetformuese të pasluftës.
Për më tepër, kur një deputete që ka ardhur në Kuvend jo me mbështetje masive qytetare, por me sistem të garantuar, tenton të përdorë votën si valutë për përfitime, atëherë kemi të bëjmë me një krizë legjitimiteti politik. Kjo nuk është përfaqësim. Kjo është tregti e pastër politike, ku vullneti qytetar poshtërohet dhe kthehet në dekor.
Më tragjikja është se një qeveri që ndërtohet mbi baza të tilla të brishta e të turpshme – ku vota blihet përmes “komunash” – nuk është më qeveri e popullit, por një koalicion i marrëveshjeve të fshehta dhe ndërmjetësimeve të dyshimta.
Kosova nuk ka nevojë për ndarje të reja. Kosova ka nevojë për më shumë drejtësi, më shumë zhvillim, dhe më shumë bashkëjetesë. Komunitetet minoritare janë pasuri e këtij shteti, por vetëm kur veprojnë brenda rregullave kushtetuese – jo kur kthehen në leva presioni për pazare politike.
Në fund, mbetet për të pyetur: A do të lejojë Kosova të kthehet në një treg ku blihen dhe shiten “komuna”? Apo do të mbrojë themelet e saj me integritet, drejtësi dhe barazi për të gjithë?