Babai i Vanjës mes lotësh: Nuk kam asnjë përfshirje me këta njerëz, këtu dëgjoj çfarë i kanë bërë fëmijës tim

Në seancën e sotme për vrasjen e Vanja Gjorgjievskës dhe Pançe Zhezhovskit, dëshmoi babai i vajzës së vrarë, Aleksandar Gjorgjievski, i cili është një nga të akuzuarit.
Ai, me emocione dhe lot në sy, iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, Vladimir Tufegxhiq.
“Psikologjikisht nuk jam i sigurt sa jam i përgatitur, por dua të jap dëshmi, para së gjithash për Vanjën. Gjatë hetimeve, këtu në sallën e gjyqit janë thënë të pavërteta të mëdha. Dua të flas edhe për Minjën (vajzën tjetër time), dua t’i them se babai është po ai njeri që ajo e pa për herë të fundit më 4 dhjetor 2023. Që atëherë, jam paraqitur në një dritë krejtësisht të kundërt nga ajo që jam në të vërtetë. Vendosa të shtyp emocionet dhe të jap këtë dëshmi. Të mbledh forcë dhe guxim për të gjithë ata që më njohin dhe vuajnë bashkë me mua, por edhe për ata që nuk më njohin – të them të vërtetën.
Nuk kam absolutisht asnjë përfshirje me këta njerëz për të cilët vura re se nuk ndjejnë as faj, as pendesë. Vura re se shfaqin vetëm zemërim dhe zhgënjim ndaj të ashtuquajturit ‘Car’. Herë pas here dëgjoj çfarë i kanë bërë fëmijës tim – kush kishte detyrë ta rrëmbejë, kush ta lidhë, e kanë goditur, e kanë futur në bagazh, e kanë futur në thes, e kanë torturuar psikologjikisht, kanë tentuar të fshehin gjurmët, njësoj edhe me vrasjen e Pançes. E nëse do ia kishin dalë, Zoti e di sa rrëmbime dhe vrasje të tjera do kishin ndodhur më pas.
Mendoj se po jap një kontribut të madh në hetim – kontaktet e Goces me policinë dhe me sistemin ‘Safe City’. Po e përsëris: nëse nuk do ishin kapur, nëse nuk do ishin ndalur, nuk pashë as faj as pendesë – nuk besoj se do ndalonin me veprimet e tyre,” deklaroi Gjorgjievski.
“Zakonisht i mbyll sytë në sallën e gjyqit, as këtu nuk mund t’i shoh. Në të kaluarën kam dëgjuar vetëm zhurmë rreth objektit ‘Tifani’, pranë të cilit jetoj, dhe ishte hera e parë që dëgjova për Palevskin. E quanin ‘Upa’. Nuk e kam parë kurrë në televizion, as nuk e kam takuar. Komshinjtë flisnin se ishte një biznesmen i madh, se ia kishin ndaluar ndërtimin e objektit dhe se rruga Partizanska ishte bllokuar. Atëherë mësova se jetonte afër Pestalicit, në një shtëpi luksoze me oborr të madh dhe thuhej se kishte edhe qen.
Po ashtu, Zorica (ish-bashkëshortja ime), kur filluam të dilnim bashkë, jetonte me prindërit në një ndërtesë të njohur si ‘ndërtesa e Upës’, e ndërtuar nga Straço, drejtori i Granitit,” tha ai.
Kur avokati e pyeti për marrëdhënien e tij me fëmijët, ai u përgjigj:
“Marrëdhënia ishte dashuri me shikim të parë, sidomos me Vanjën. Unë kujdesesha për ta që të vegjël, për ushqimin, kur ishin të sëmurë, i argëtoja. Ishim një familje e lumtur. Ishte një prind i përkushtuar, i shqetësuar për shëndetin e tyre dhe se ku shkonin. Edhe kur u rritën, kishim një aplikacion për të ndjekur lëvizjen e telefonit. Në çdo kohë e dinim ku ishin. Ishin të edukuar mirë, engjëj, kukulla. Edhe kur qëndronin vetëm, gjithmonë telefononin ose mua ose Zoricën, që t’u bënim shoqëri në telefon derisa të ktheheshin në shtëpi.”
Ai tregoi se fundjavën para vrasjes, fëmijët kishin qenë te ai për drekë. Më vonë u mor vesh që do të dilnin me shoqëri, dhe ai kishte marrë përsipër t’i çonte me veturë sepse kishte filluar të binte shi. Ai shpjegoi se gjithmonë kujdesej për sigurinë e tyre, duke i çuar dhe marrë nga takimet me shokët.
I pyetur se çfarë ndodhi mëngjesin e 27 nëntorit (dita kur u rrëmbye Vanja), ai tha:
“Ndodhi një çmenduri. Mora një telefonatë nga Zorica. Bërtiste që Vanja nuk ishte. Ajo po vinte nga ana ime. E hapa aplikacionin për ndjekjen e Vanjës dhe pashë se hera e fundit që ishte regjistruar ishte afër Partizanska. Menjëherë kuptova se diçka nuk ishte në rregull. Telefoni ishte i fikur. Zorica më pyeti nëse duhet ta raportojmë në polici. I thashë absolutisht po. Hipëm në makinë. Zorica foli me një kolege dhe i tha të gjente një fotografi të Vanjës dhe menjëherë ta publikonte në rrjetet sociale. U nisëm drejt vendit ku u regjistrua sinjali i fundit i Vanjës. Vura re një shtëpi të braktisur dhe hyra brenda për të kërkuar. Aty më telefonoi policia dhe më tha të kthehemi për të dhënë deklarata. Nuk mbaj mend çfarë folëm. Ishim të tronditur,” përfundoi Gjorgjievski.