Në kuadër të vizitave në terren “Ku zemra është në shtëpi”, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zëvendësin e tij, Erxhan Selimi, sot vizituan Komunën e Butelit dhe mbajtën një takim pune me kryetarin Darko Kostovski dhe anëtarët e Këshillit komunal. Në takim u diskutua për çështjet më të rëndësishme lokale, për sfidat me të cilat përballet komuna, si dhe u shkëmbyen mendime për masa dhe aktivitete që do të krijonin kushte për një përparim më të madh të komunës, në interes të përditshmërisë më cilësore për banorët. Në fokus të takimit ishin edhe ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, zbatimi i tij dhe mundësitë për përmirësimin e tij.
“Qytetarët duhet të jenë në qendër të çdo politike. Ligji për Vetëqeverisje Lokale është një mjet, por fuqia e tij varet nga sa jemi të gatshëm ta përdorim në dobi të të gjithë banorëve në komuna – në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe me pjesëmarrje reale të qytetarëve”, u theksua në takim, ku ministri Perinski dhe kryetari Kostovski diskutuan edhe për dymbëdhjetë projektet që në Butel po realizohen me mjete nga thirrja e parë qeveritare për mbështetjen e projekteve infrastrukturore komunale. Nga këto, 11 janë në fushën e forcimit të kapaciteteve të infrastrukturës rrugore, realizimi i të cilave do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e trafikut në komunë. Në thirrjen e dytë, Komuna e Butelit deri tani ka dorëzuar 16 aplikime për projekte të propozuara.
Takimi përfundoi me një mesazh të fuqishëm se vetëm përmes dialogut të hapur dhe vetëqeverisjes funksionale krijohen kushte për funksionim efikas të komunave në interes të përditshmërisë cilësore të popullatës lokale.