Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor nuk është domosdoshmëri për BE-në vetëm për arsye ekonomike dhe tregtare, por është domosdoshmëri për qëndrueshmëri politike dhe të sigurisë në kontinentin evropian, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin Ekonomik të Delfit në Greqi, duke theksuar se në BE ekziston hendek ndërmjet premtimeve dhe realizimeve, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Shefi i diplomacisë foli për perspektivën e BE-së të vendit, për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për bashkëpunimin transatlantik, përderisa fjalimin e tij e filloi duke e falënderuar Greqinë dhe popullin grek për ndihmën për vendin tonë pas zjarrit tragjik në diskotekën në Koçan, falënderim i cili me duartrokitje u përshëndet nga të pranishmit.

Mucunski theksoi se “jetët e disa personave u shpëtuan direkt nga mjekët grekë”, foli edhe për vizitën e tij në spitalet në Selanik, ku janë hospitalizuar pesë të lënduar.

“Ajo që mund të them është se solidariteti i sinqertë që keni treguar si nga Qeveria ashtu edhe nga njerëzit dhe nga profesionistët e mjekësisë është diçka që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e popullit tim dhe për këtë ju falënderoj”, tha ministri.

Panel – diskutimi ishte në temën: “A është aleanca BE-SHBA jashtë riparimit?”, ndërsa shefi i diplomacisë tha se SHBA-ja është një investitore e madh si në politikë dhe siguri, ashtu edhe në stabilitetin ekonomik në rajon.

Në hollësi foli për kërcënimet dhe rreziqet që vijnë nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut, Irani për rajonin.

“Rreziku i ndërveprimit mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut është diçka që ne nuk e kemi marrë seriozisht sa duhet dhe këtë e them nga pikëpamja politike, e sigurisë, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare. Këto vende, nga qeveria amerikane, do të thosha se shihen si konkurrencë strategjike dhe një kërcënim strategjik”, theksoi ministri, duke shtuar se në Evropë ka qasje të ndryshme sesi shihet për shembull Kina.

Lidhur me NATO-n tha se e ndryshon qasjen e saj për shumë gjëra dhe “ndryshon që të bëhet aleancë më e fuqishme, e jo Aleancë më e dobët”, duke theksuar se SHBA-ja investon në qëndrueshmëri, por çdonjëra nga vendet duhet të dëshmojë përgjegjësi dhe t’i identifikojë kërcënimet edhe nga perspektiva evropiane, dhe nga perspektiva rajonale dhe globale.

Duke folur për perspektivën tonë evropiane, i përkujtoi të pranishmit se këtë vit bëhen 20 vjet nga statusi kandidat, ndërsa ende nuk kanë filluar bisedimet, duke theksuar se “jemi viktimë e kritereve dypalëshe përsëri dhe përsëri”.

Theksoi se BE-ja lejon të ekzistojë vakum në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kjo është për shkak të “hendekut ndërmjet detyrimeve dhe dërgesës gjegjësisht mes premtimeve të cilat i ka dhënë në rajonin tonë dhe mungesës së dërgesës” me çka sipas ministrit, lejon ndikim të disa aktorëve të caktuar siç janë Rusia dhe Kina.

“Porosia që po i dërgojmë Brukselit dhe vendeve anëtare është se është e nevojshme të gjendet një rrugë e prekshme për Ballkanin Perëndimor për të ecur përpara dhe një mënyrë për të mbyllur hendekun midis angazhimeve, dritareve të shumta të mundësive që na ishin premtuar në të kaluarën, një frazë që përdoret shpesh, tani është mundësia, tani është momenti, por oferta nga Bashkimi Evropian ka munguar gjithmonë. Nga ky këndvështrim, ajo që mund të them është se një nga mbështetësit më të fortë të prekshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian kanë qenë gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh. Po, SHBA nuk është anëtare e BE-së, por Shtetet e Bashkuara kanë interes për stabilitetin e rajonit,” tha shefi i diplomacisë.

Në margjinat e Forumit Ekonomik në Delfi Mucunski kishte takim me homologun e tij grek Jorgos Gerapetritis, i cili e priti përzemërsisht, ndërsa vetë takimi kaloi në atmosferë miqësore.

Mucunksi përmes rrjeteve sociale potencoi se takimi përfaqëson hap të rëndësishëm në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancim të dukshëm të marrëdhënieve diplomatike.

Në takim, siç qëndron në publikimin në Fejsbuk, ishte theksuar gatishmëria e përbashkët dhe nevoja për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh – përmes dialogut të intensifikuar dhe politik, lidhje me prioritet në infrastrukturë dhe energjetikë, si dhe dinamikë të re në ekonomi, kulturë dhe turizëm.