Sot seancë e re gjyqësore për vrasjet e Vanja Gjorgjievskës dhe Pançe Zhezhovskit – dëshmon i akuzuari kryesor, Lupço Palevski
Në Gjykatën Penale sot mbahet një seancë e re për rastin e vrasjes së Vanja Gjorgjievskës dhe Pançe Zhezhovskit. I akuzuari kryesor në këtë rast, Lupço Palevski, do të japë deklaratë në sallën e gjyqit.
Pritet që ai të përsërisë pretendimet që ka bërë që në fillim të procesit – se është i pafajshëm dhe se bëhet fjalë për një proces të montuar politik kundër tij.
Për vrasjen e Pançes, Palevski fillimisht ka deklaruar se më 22 nëntor ishte duke rregulluar kaldajën në shtëpinë e dëshmitarit Eroll Osmani – i cili nga ana e tij pohon se kjo ka ndodhur më 28 nëntor.
Për vrasjen e Vanjës më 27 nëntor, Palevski pretendon se ka komunikuar përmes Telegramit me një anëtar të partisë nga ora 8:20 deri në 9:00, por nuk ka dëshmi, pasi bëhet fjalë për një “kanal” të mbrojtur komunikimi. Më pas, sipas tij, ka shkuar në bankë.
Deri tani, dy nga bashkëpunëtorët – Manev dhe Keshishev – i kanë pranuar veprat penale dhe e kanë identifikuar drejtpërdrejt Palevskin si kryerës të vrasjeve.
Prokuroret pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme indirekte dhe dëshmi nga dëshmitarët.
Palevski pretendon se incizimet që u paraqitën si prova – të bëra para shtëpisë së Manevit – nuk janë nga mbrëmja para vrasjes, por nga data 5 maj, kur sipas tij ishin duke kërkuar ar në Demir Kapi.
Ai mohon që të shihet qartë se ai është duke vozitur apo se ka ADN të tij në vendet e krimeve.
Në seancën e fundit dëshmoi babai i Vanjës, Aleksandar Gjorgjievski, i cili është i akuzuar për bashkëpunim në vrasje, edhe pse deri tani Prokuroria Publike nuk ka paraqitur prova konkrete për përfshirjen e tij.
Ai pretendon se nuk i njeh personalisht autorët e vrasjeve dhe se nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.
Seanca e sotme do të fillojë me deklaratën e Palevskit, pas së cilës do të pasojnë pyetjet nga gjykatësi Ivica Stefanovski dhe avokati i tij Jovica Strashevski.