Një e punësuar në SPB Kumanovë ka lëshuar targa pa u kryer pagesa për të njëjtat, ka shkaktuar rreth 7 mijë euro dëm

Një punonjës e Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Kumanovë si zyrtar në Departamentin për Çështje Administrative nga data 11.01.2024 deri më 19.12.2024 ka pranuar kërkesa dhe dokumente për regjistrimin e automjeteve, ka lëshuar targa pa pagesë, njofton MPB, duke theksur se nga kjo vepër penale është shkaktuar dëm prej 417.500 denarë ose gati shtatë mijë euro.
“Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale, në Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë, ka parashtruar kallëzim penal kundër M.P., për veprën penale të punës së pabazuar në shërbim, nga neni 353-c, paragrafi 1 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së për këtë rast.
Punonjësja, sipas policisë, ndonëse ishte në dijeni dhe e dinte se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligj, në kryerjen e kompetencave dhe detyrave të saj ka vepruar me pakujdesi, pa respektuar më parë procedurën e regjistrimit të automjetit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të MPB-së prej 417.500 denarë ose gati shtatë mijë euro.
Kundër të punësuarës në SPB Kumanovë është paraqitu propozim për ngritjen e procedurës për shkelje të rregullave dhe disiplinës së punës.
Punonjësja është urdhëruar të largohet nga puna deri në përfundimin e procedurës disiplinore.