Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e ktheu vëmendjen tek Ballkani Perëndimor gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Kryediplomatja gjermane theksoi rëndësinë e integrimit të vendeve të rajonit në bllokun europian, tashmë edhe në sfondin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ne nuk mund ta përballojmë më në Europë një zonë tjetër të errët. Integrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, vecanërisht në kohën e luftës ruse në Ukrainë, është edhe politikë e përbashkët europiane e paqes“-shprehet Annalena Baerbock, ministre e jashtme e Gjermanisë.

Ndër të tjera në rend të ditës ishin edhe bisedimet me përfaqësues të Shqipërisë lidhur me antarësimin e këtij vendi në BE. Ministrja e jashtme gjermane insistoi për “një hap të mëtejshëm të madh” të Shqipërisë drejt BE-së.

Blloku e ka shtruar që përpara dy dekadash perspektivën e antarësimit vendeve të Ballkanit Perëndimor, por mes përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës që kërkojnë gjithmonë e shumë shtimin e influencës në rajon, Brukseli duket se po tenton të injektojë energji të re tek përpjekjet për zgjerim.