Policia ende është në kërkim të njërit nga të dyshuarit për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, tragjedinë më të rëndë në historinë e re të Maqedonisë.

Prokurori publik, Lupço Kocevski, mbrëmë gjatë paraqitjes në emisionin Top Tema në Televizionin Telma, bëri të ditur se para se të hynte në emision ishte informuar se ishte lëshuar urdhër dhe se ishte në zhvillim një aksion policor për arrestimin e shtatë policëve të tjerë. Ai theksoi se nuk kishte informacione të detajuara nëse bëhej fjalë për policë që ishin në funksione gjatë tragjedisë në diskotekë apo për ish-zyrtarë.

Kocevski e bëri publike këtë informacion ndërkohë që aksioni ishte ende në zhvillim, dhe nga MPB për MKD.mk thanë se ky veprim komprometoi operacionin, edhe pse deri më tani MPB ka njoftuar edhe më parë për aksione në kohë reale përmes mediave.

Kësaj here, megjithatë, policia nën drejtimin e ministrit Toškovski e akuzon prokurorin publik se me deklaratën e tij e ka komprometuar aksionin, dhe për pasojë, një nga shtatë policët e dyshuar nuk është gjetur dhe nuk është arrestuar.