Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, më 16 prill 2025, profesori nga SHBA-ja, i njohur ndërkombëtarisht për ekspertizën e tij në të drejtën mjedisore, profesori Jim Lofton, mbajti ligjëratë, me temë: “Mbrojtja e ambientit dhe sfidat që paraqiten në zhvillimin ekonomik”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të stafit akademik të universitetit tonë si dhe përfaqësues nga jeta publike dhe nga institucionet e vendit që merren me mbrojtjen e ambientit.
Profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Fatmir Xheladini, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për profesorin Jim Lofton për prezencën dhe kontributin e dhënë në pasurimin e diskutimit akademik, duke e vlerësuar temën si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe aktuale për shoqërinë tonë.
Gjatë prezantimit, prof. Lofton theksoi rëndësinë e vendosjes së një ekuilibri ndërmjet zhvillimit industrial dhe mbrojtjes së ambientit jetësor. Ligjërata u shoqërua me shembuj konkretë nga përvoja ndërkombëtare, ku u prezantuan raste të veçanta që ndërlidhen me përpjekjet për përmirësimin dhe funksionimin e pastër të impianteve industriale. Disa nga rastet e prezantuara ilustruan proceset e gjata dhe të ndërlikuara ligjore që palët ndjekin kundër impianteve që dëmtojnë ambientin, si dhe vështirësitë në përballjen me realitetin që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin publik. Profesori nënvizoi rëndësinë e angazhimit të institucioneve ligjore dhe shoqërisë civile për të siguruar zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit mjedisor.
Ky aktivitet u mirëprit nga të pranishmit të cilët e vlerësuan si kontribut që ndikon në rritjen e vetëdijes dhe njohurive lidhur me sfidat bashkëkohore të mbrojtjes së ambientit në kontekstin e zhvillimit ekonomik.