Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se kolegët e tij që nuk votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve duhet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës në listat e subjekteve përkatëse.
Raporti për verifikimin e mandateve të martën nuk mori votat e mjaftueshme pasi nuk u votua nga opozita dhe disa nga pakicat, ndërsa të enjten nuk u hodh fare në votim. Sot do të bëhet përpjekja e parë për ta kaluar këtë raport.
“Nëse një deputet refuzon verifikimin e mandatit, atëherë ai realisht ka refuzuar të bëhet përfaqësues i qytetarëve. Andaj, ata që nuk kanë votuar duhet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës në listat e subjekteve përkatëse, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Ai theksoi se vendi nuk mund të mbetet në një situatë të bllokuar dhe se tashmë ekzistojnë disa opsione për të dalë nga kjo krizë.
Në këtë kontekst, Abrashi përmendi edhe propozimin e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka sugjeruar datën 15 qershor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për këtë propozim, por kërkohen konsultime paraprake. Bllokimi nuk është zgjidhje. Le të deklarohen të gjithë për opsionin që e përkrahin”, shtoi ai.