Qani Shabani

Deklarata e profesorit Mersim Maksuti mbi zhvillimet politike pas largimit të Arben Taravarit nga VLEN është një përpjekje e vonuar për të marrë një pozicion moral në një moment kur shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale, jo komente sterile. Të flasësh sot për “trishtim publik” dhe “degradim kushtetues”, kur për vite me radhë je pozicionuar në heshtje, është një akt hipokrizie intelektuale.

Lëvizjet politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë nevojë për analizë sipërfaqësore e as për kujtesë të vonuar. Sot shqiptarët nuk kanë mungesë deklaratash, por mungesë udhëheqësie. Në këtë realitet, opinionistë që flasin nga katedrat, por heshtin kur shkelet interesi kombëtar, nuk mund të pretendojnë pavarësi – as morale, as intelektuale. Në vend që të adresojë thelbin e krizës politike, Maksuti përpiqet të shpëtojë imazhin personal me një gjuhë të ekuilibruar artificialisht dhe me një stil që ngjan më shumë me një “ese” të matur sesa një pozicion të guximshëm intelektual.

Profesori Maksuti, duke u përpjekur të paraqitet si intelektual i pavarur, në fakt bie në grackën e relativizmit politik. Ai kritikon Taravarin largimin nga VLEN, për “favore personale “pa ide dhe analizë.Në këtë drejtim, mungesa e një vizioni të përbashkët kombëtar dhe moszhvillimi i një elite të përgjegjshme intelektuale është ndër shkaqet kryesore të krizës së përfaqësimit shqiptar në RMV.

Deklarata e Maksutit nuk përmend kurrkund mënyrën se si janë minuar të drejtat e shqiptarëve nga pushteti i BDI-së për dy dekada. Ai jep vetëm një “vërejtje konstruktive”, e cila në fakt është më shumë një përkëdhelje ndaj strukturave që kanë bashkëqeverisur me çdo qeveri maqedonase në dëm të interesit kolektiv shqiptar. Kjo qasje nuk është as akademike dhe as e pavarur – ajo është thjesht një përpjekje për të ruajtur balancën personale, jo për të thënë të vërtetën.
Anlisti Qani Shabanij,nënvizon se çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të zgjidhet me neutralitet të rremë dhe retorikë të butë, por me ide të qarta, me figura që marrin përgjegjësi dhe që e kanë guximin të thonë të vërtetën pa frikë nga humbja e privilegjeve personale. Maksuti nuk e ka bërë këtë as sot e as më parë.

Për më tepër, ai flet për “degradim retrograd” të të drejtave kushtetuese, por nuk përmend asnjë propozim konkret, asnjë akt që të tregojë se vetë ai është pjesë e ndonjë procesi të ndikimit real. Në thelb, ky është një status për të ruajtur “imazhin publik”, jo për të tronditur ndërgjegjen politike apo qytetare.

Nëse duam ndryshim real, nevojitet krijimi i një platforme të re intelektuale dhe politike, ku zëri i shqiptarëve të mos jetë i përçarë e i instrumentalizuar, por i organizuar dhe i përfaqësuar me dinjitet. Kjo nuk bëhet nga ata që heshtën për 20 vjet dhe flasin vetëm kur është vonë.

Maksuti mund të jetë një profesor i nderuar, por si opinionist, ai nuk i kontribuon ndryshimit. Përkundrazi, e ngatërron opinionin publik duke përdorur gjuhën e “trishtimit” në vend të gjuhës së mobilizimit, dhe të neutralitetit, në vend të përgjegjësisë.