Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se kërkesa për mosprocedimin e kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit erdhi si pasojë e deklaratave të opozitë
Ajo theksoi se qëllimi nuk është bllokimi i procesit, por nevoja për dakordim ndërmjet partive politike për të konstituuar Kuvendin ose për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Ishte kërkesë e grupit tonë parlamentar që të mos procedohet kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, për shkak të deklaratave të opozitës. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe është obligim për të gjitha grupet parlamentare. Nga deklaratat e opozitës kuptohet se, në momentin që arrihet shumica, ata synojnë të bllokojnë zgjedhjen e nënkryetarit. Letra jonë kishte për qëllim formimin e institucioneve, por ky proces ka mbetur pezull.”
“Me këtë qasje, duhet të dakordohemi, t’i thërrasim të gjitha partitë dhe ta konstituojmë Kuvendin, ose të shkojmë me 80 vota në zgjedhje të reja. Nuk jemi të interesuar që kjo bllokadë të vazhdojë, por është e rëndësishme që të ketë vullnet për tejkalimin e këtij ngërçi. Nëse pas dy ditësh partitë reflektojnë, atëherë mund ta konstituojmë Kuvendin në tërësi”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka thënë se gjitha grupet duhet të votojnë për zgjedhjen e propozimit për kryetar të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar.
“Në situatën aktuale, siç po deklarohen grupet tjera parlamentare politike të opozitës së deritashme, i bie menjëherë pasi të arrijmë një shumicë prej 61 votave, të mos i votojmë nënkryetarët, që po ashtu duhet zgjedhur me 61 vota”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk është proceduar tutje me shkuarje në votim për kandidaten e VV-së për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, duke marrë parasysh deklarimet e grupeve parlamentare për mënyrën e votimit.