Ditën e hënë (21 prill), u nda nga jeta Papa Françesku nga një goditje në tru, gjë e cila u konfirmua edhe nga Vatikani, ndërkohë është zbuluar edhe testamenti i tij.

Papa Françesku, ka lënë edhe amanetin e tij, ku është shprehur se dëshironte të varrosej në një varr “të thjeshtë” në Bazilikën e Romës.

“Varri duhet të jetë në tokë, i thjeshtë, pa dekorim të veçantë dhe me mbishkrimin e vetëm: Francisco”, ka thënë Papa në testamentin e tij, i cili u publikua nga Vatikani.

Ai do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull, që do të varroset jashtë Vatikanit.

Testamenti i tij Papa e shkroi më 29 qershor 2022.

Papa vuante nga probleme shëndetësore dhe para se të kthehej në rezidencën e tij, ai kishte qëndruar për 38 ditë në një spital, pasi mjekët e kishin diagnostikuar me pneumoni të dyfishtë.

Ai ishte zgjedhur Papë në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, dhe e kishte zgjedhur emrin Françesk, si nderim ndaj Shën Françeskut të Asizit dhe veprave të tij ndaj të varfërve.

Papa Françesku ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, dhe i pari Papë nga Amerika Latine i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër luftës, për kujdesinë ndaj të varfërve dhe grupeve të margjinalizuara dhe përulësinë ndaj të ndikuarve nga konfliktet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume