Shkruan: Merxhan Jakupi
Më se pesë shekuj, shqiptarët u kishin shërbyer ushtrive të Perandorisë Osmane. Me aneksimin dhe okupimin nga forcat ushtarake serbe, shqiptarët kishin ndërruar patronin. Rekrutët e rinj kishin ndërruar uniformën dhe çizmet.
Tashmë, ky armik i ri ishte shumë më i egër dhe më barbar se armiku i mëparshëm. Një pjesë e shqiptarëve, në periudhën osmane, kishin punuar në administratë, kishin pasur poste të larta në hierarki, kurse shumica kishin punuar në tokat osmane.
Pas shembjes së Perandorisë Osmane dhe luftërave ballkanike, një pjesë e këtyre veteranëve kishin pasur nostalgji për Perandorinë Osmane.
Në katundet e Malësisë së Sharrit, në trekëndëshin kufitar Kosovë–Maqedoni–Shqipëri, veteranët shpesh bisedonin për të kaluarën, përpëlitjet, vuajtjet që kishin përjetuar në tokat osmane.
Pas okupimit të këtyre trojeve shqiptare nga Mbretëria Jugosllave, në shumë provinca shqiptare regjimi i Beogradit kishte vendosur stacione të xhandarmërisë për të kontrolluar dhe shtypur popullatën shqiptare.
Në katundet e malësisë së Sharrit të komunës së Tetovës, Shipkovicë, Vicë, Brodec, Veshallë, Bozovcë dhe katunde të tjera, në stacionet e xhandarmërisë serbe, xhandarët ushtronin reprezalje dhe tortura.
Shpesh, nëpër oda, malësorët bisedonin dhe theksonin se “më mirë ishim nën kohën e Dovletit, se tash me Krajlin”.
Në një mexhlis, Mamuti, një burrë hijerëndë, iu drejtua imamit të katundit, ku ky imam shpesh lavdëronte Krajlin e shpesh Dovletin. Thoshin se për çdo muaj i sillte rrogën postieri dhe jetonte më mirë se në kohën e Babës Mbret. Po ashtu, imami, përveç gjuhës së Kuranit, dinte osmanisht, persisht, kurse shkinishten e dinte hezber.
Imami i tha Mamutit: “Sigurisht, ne shqiptarët kemi jetuar më mirë në kohën e Dovletit se me këta qafira të pafe.”
Nura, që shpesh në sokakun e lurajve u tregonte të rinjve aventurat që kishte përjetuar nëpër mejhanet e Stambollit dhe Varnës, u ngrit në këmbë dhe tha: “Të lumtë Hoxhë Efendi! Baba Sulltani ishte ylli i dritës dhe ne bukën e shkelëm, tash na zu haki e Babës Mbret.”
Të gjithë burrat në odë thanë: “Të lumtë goja, se të gjithë të njëjtin mendim kemi.”
Imami me Haqif Qafë Gjatin, në ditët e pazarit, shpesh dërgonin një mik për në qytet te berberi, për informata, me idenë se mbase ishalla, ndoshta do të kthehet prapë Dovleti.
Në një letër, berberi i kishte shkruar Imamit: “Mos mbajë kot ymyt. Unë me familje dhe shumë nga kasabaja do ikim me valixhe në Turqi, kurse ju në fund do të ikni pa valixhe dhe pa kësulë në kokë.”
Protogjeri i katundit e kishte thirrur imamin të shkonte në stacion te xhandari. Serbi, i xhindosur, iu vërsul Imamit: “Bir kurve, pesëqind vjet na mbajtët në robëri, e tash pas kthimit të tokave tona serbe, ju do të jeni robër dhe vazalë, shërbëtorët tanë.”
Imami i tha: “Gospodin xhandar, edhe ne shqiptarët kemi qenë si ju, nën sundimin e osmanëve.”
“Mbyll gojën! Ju shqiptarë të turqizuar jeni më të rrezikshëm se turqit. E mos mendoni se nuk e di urrejtjen që ke ndaj Krajlit. Hani bukën e Krajlit, e lavdëroni Dovletin, duke shpresuar se do të kthehet përsëri.” Xhandari ia vuri në kokë koburen. Imami, duke u përbetuar në din e iman, bëri be në Kuran dhe në pejgamber se gjithë këto fjalë janë trillime.
Në katund shpesh kishte polemika mes veteranëve dhe burrave që kishin mendime të ndryshme. Disa lavdëronin Babën Mbret, disa Mretin Zog, e disa Krajlin.
Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, edhe pse këto pjesë të trekëndëshit kufitar kishin mbetur nën Jugosllavi, lëvizjet, martesat dhe miqësitë vazhdonin.
Nëpër dasma e mort, vinin e shkonin farefis e miq.
Në një dasmë të madhe nga një familje qehallarësh, ku ishin therë dhjetëra dele e dem, dasmori kishte ftuar miq dhe krushqi nga katundet e afërta të malësisë së Prizrenit dhe nga zona kufitare e Shqipërisë – Topojan e Lumë. Ishin dy rapsodë. Kënduan këngë për Skënderbeun, po ashtu edhe për Sinan Pashën, vezirin e madh të sulltanit.
Sinan Pasha ishte me prejardhje nga Topojani, kurse nga një katund fqinj, Bozovcë, shumë familje ishin me prejardhje nga Topojani. Sipas gojëdhënave, kur Sinan Pasha ishte shpërngulur për në Stamboll, një pjesë e familjes kishte mbetur në këtë katund.
Përveç këngëve për Sinan Pashën, rapsodët kishin kënduar edhe për padishahun: “Baba Mbret na vjen apet!”
Në oda, përveç lodrave, vlonte dhe çiçeku nga vajzat jevge. Këta malësorë ishin të fokusuar te akrobacionet dhe dridhja e trupit të vajzave jevge. Ishin joshur dhe të etshëm nga libidoja për këto femra gjysmë lakuriq.
Osman Gjura, pasi hodhi para mbi gjirin e një jevgeje, në fund hapi dritaren dhe me kobure shtiu në ajër, duke thirrur: “Rroftë Krajli!”
Nëpër oda, përveç sevdas, pihej rakia dhe luhej kumar. Vonë, disa i kishte zënë rakia. Duke ngritur gotën, Alush Sheri me zë të lartë tha: “Rroftë Mbreti Zog!”. Shumë malësorë thoshin se “Mbreti Zog është edhe mbreti ynë e i gjithë shqiptarëve.”
Zendeli, një burrë i pashëm dhe çallëmxhi, porositi rapsodët të këndojnë një këngë të Babës Mbret dhe në fund tha: “Rroftë Baba Mbret!”
Pas mbarimit të dasmës, xhandarët serbë ua kishin vënë prangat dy rapsodëve dhe dy burrave të tjerë, dhe i kishin futur në një qeli. Tërë natën i kishin torturuar.
Sipas disa informacioneve, Zendel Gjurës, xhandari ia kishte shkulur mustaqet dhe ia kishte sharë nënën shqiptare. Kur Zendeli kishte filluar të betohej në Zot, xhandari ia kishte sharë Zotin dhe Diellin. Rapsodëve ua kishte shkulur thonjtë.
Xhandari, si bishë, iu ishte vërsulur: “Pse nuk këndoni këngë për Krajlin që ju ushqen me bukë, mjaltë e qumësht?
Që nga ajo natë, rapsodët nuk kishin kënduar më këngë, as për Mbretin, as për Krajlin.
Shpesh, me shpoti, rapsodët i pyesnin se ua kishte sharë xhandari serb Zotin dhe Diellin.
Burrave ua kishin vënë prangat dhe i kishin futur në qeli. Xhandari i kishte torturuar dhe rrahur me kamxhik. Zendel Gjurën, xhandari, pasi ia kishte shkulur mustaqet, duke sharë, i kishte thënë: “Ju shqiptarët e turqizuar dhe boshnjakët jeni më të rrezikshëm se turqit!”
Rapsodëve u ishte vërsulur si përbindësh xhandari: “Pse nuk këndoni këngë për Krajlin që ju ushqen me bukë e simit, por këndoni këngë për sulltanët e kalifë?”
Nga dita që xhandari serb i kishte torturuar, këta rapsodë nuk kishin kënduar më as për Babën Mbret, e as për Krajlin. Shpesh, në sokakun e lurajve, kur dilnin pleq e burra, i pyesnin rapsodët me shpoti e buzë në gaz: “Pashë Zotin, a po na tregoni, a është e vërtetë që xhandari ua shau Zotin dhe Diellin?”