Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva shpalli shtatë ditë zie për Papa Françeskun.

“Zoti ngushëlloftë ata që po vuajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe sot në mbarë botën. Në kujtim të tij dhe në respekt të veprës së tij, unë po shpall shtatë ditë zie në Brazil”, thuhet në deklaratën e presidentit.

Qeveria argjentinase gjithashtu shpalli shtatë ditë zie për vdekjen e Papës, raporton Reuters.

Një meshë e veçantë u kremtua të hënën në katedralen në Buenos Aires, ku dikur Papa ishte kryepeshkop.

Presidenti Javier Millay u përplas më parë me Papën, duke e quajtur atë socialist, por pasi ai mori detyrën në fund të 2023, marrëdhënia e tyre u përmirësua.

“Pavarësisht dallimeve që sot duken të parëndësishme, mundësia për të takuar mirësinë dhe urtësinë e tij ishte një nder i vërtetë për mua. I them lamtumirë Atit të Shenjtë dhe bashkë me të gjithë e përjetoj këtë lajm të hidhur sot”, tha ai.

Qeveria në Spanjë ka shpallur tre ditë zie zyrtare për vdekjen e Papa Françeskut , të cilin e përshkruan si një “njeri të mirë” dhe beson se Kisha ka filluar një udhëtim që duhet të vazhdojë.