Të dyshuarit për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, të shoqëruar nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Të arrestuarit H.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., të martën do të dalin para gjykatës në seancën dëgjimore, e cila do të mbahet e mbyllur për media.
Të hënën në Kaçanik janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.
Seanca dëgjimore mbahet sot me fillim nga ora 13:00.
Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar një muaj paraburgim për gjashtë të arrestuarit.
Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.
Muhamed Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, më 1 prill derisa po kthehej nga puna.