Bytyqi: Qeveria nuk kthen TVSH-në, nuk paguan rroga dhe po huazohet para në mënyrë ekstreme nga bankat vendore

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, mbrëmë në emisionin “24 Analiza” në TV 24, paralajmëroi për probleme serioze në financat publike dhe politikën ekonomike të Qeverisë.
“Realiteti është se kemi hyrë në një cikël prej 6 deri në 9 muajsh të mospagesës së kthimit të TVSH-së dhe mospërmbushjes së obligimeve ndaj ekonomisë, gjë që Qeveria nuk e pranon publikisht, por e thonë vetë bizneset,” deklaroi Bytyqi, duke theksuar se kur Qeveria bëhet borxhliu më i madh – qoftë për kthim të TVSH-së, qoftë për detyrime kontraktuale – kjo është problem serioz për ekonominë, sepse shkakton mospagesa zinxhirore dhe ulje të aktivitetit ekonomik.
“Shembull për këtë është edhe të dhënat për prodhimin industrial për muajin shkurt, që ishte me rënie prej -0.8%,” tha Bytyqi, duke sqaruar se vonesa në kthimin e TVSH-së është në kundërshtim me ligjin.
Ai shtoi se rritja ekonomike që paralajmëron Qeveria nuk bazohet në industri apo ekonomi reale, por në investime publike – të cilat gjithashtu po dështojnë.
“Është normale që projeksionet e Bankës Botërore të jenë të tilla çfarë janë, domethënë nëse e përmbyllim vitin me një rritje prej 2.6%, mund të konsiderohemi me fat si shtet,” tha Bytyqi, duke shtuar se këto projeksione bazohen në mundësi reale për zbatim investimesh, jo në propagandë.
Lidhur me vonesat në pagesën e rrogave në sektorin publik, Bytyqi theksoi: “Nëse publikisht po pretendohet se bëhet fjalë vetëm për ndonjë gabim administrativ, realiteti është se një nga inspektoratet që është nën Ministrinë e Ekonomisë nuk ka marrë rrogë tashmë katër muaj.”
Ai kujtoi se afati ligjor për harmonizim me Ligjin për organizimin e organeve të administratës shtetërore është 6 muaj dhe pyeti: “A nuk po punon kjo Qeveri sipas ligjit, si është e mundur që pas 10 muajsh ende jemi në proces të harmonizimit dhe për këtë arsye nuk paguhen rrogat?”
Bytyqi theksoi gjithashtu se kur flitet për financat publike, duhet të analizohet se çfarë ndodh në çdo segment – rrogat, pensionet, ndihmat sociale dhe funksionimi i ekonomisë.
Sa i përket borxhit, ai vuri në dukje ritmin e shpejtë të huamarrjes nga Qeveria në bankat vendore.
“Të marrim një aspekt që askush nuk dëshiron ta diskutojë – që nga 8 tetori 2024, kur në Budapest u nënshkrua marrëveshja për huamarrje prej 1 miliard eurosh, deri më sot janë emetuar 17 obligacione shtetërore me vlerë totale prej 27.9 miliardë denarësh ose 453 milionë euro. Përveç kësaj, vetëm në mars janë marrë edhe 70 milionë euro nga banka Sparkasse,” tha Bytyqi.
Ai përfundoi se buxheti po mbushet përmes huamarrjes së re, jo përmes të ardhurave të shëndosha, duke paralajmëruar se deficiti i këtij viti, sipas strategjisë afatgjate për menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal, nuk përputhet me objektivat – një nga vërejtjet kryesore të FMN-së. Kjo, sipas tij, dëshmon se si shtet po vonohemi në konsolidimin fiskal, pasi deficiti buxhetor është më i lartë se sa duhet të jetë.