Një imazh mahnitës i Diellit, i kapur nga teleskopi më i madh diellor në botë, po bën jehonë në komunitetin shkencor, duke ofruar një vështrim të pashembullt në aktivitetin dinamik dhe kompleks të yllit tonë më të afërt.

Ky është imazhi i parë i realizuar nga instrumenti i ri VTF (Visible Tunable Filter) në Teleskopin Diellor Daniel K. Inouye, i Fondacionit Kombëtar të Shkencës së SHBA-së (NSF).

Lexo edhe:
Jennifer Rauchet: Gruaja e Pete Hegsethit që e quajnë ‘Yoko Ono’
Imazhi zbulon një grumbull njollash të errëta diellore, secila me madhësinë e një kontinenti, që ndodhen pranë qendrës së atmosferës së brendshme të Diellit. Me një shkallë mahnitëse prej 10 kilometrash për piksel, ky është një prej përshkrimeve më të afërta dhe më të detajuara të jetës së nxehtë dhe të paqëndrueshme në sipërfaqen diellore.

Sipas shkencëtarëve, njollat diellore janë zona me aktivitet shumë të fortë magnetik. Ato shënojnë vendndodhjen e mundshme të shpërthimeve diellore dhe nxjerrjeve masive koronale (CME), shpërthime të mëdha të plazmës dhe fushave magnetike që përhapen nga atmosfera e jashtme e Diellit drejt hapësirës.

“Këto shpërthime mund të ndërhyjnë në fushën elektromagnetike të Tokës, duke shkaktuar ndërprerje në rrjetet elektrike, komunikimin satelitor dhe madje edhe në navigimin GPS,”, shpjegoi për CNN Friedrich Woeger, shkencëtar i programit për teleskopin Inouye. Parashikimi i këtyre fenomeneve është thelbësor për të parandaluar dëme në infrastrukturën teknologjike të njerëzimit.

I ngjashëm me një ‘marrës radioje që akordohet në gjatësi vale të ndryshme’, instrumenti VTF i lejon shkencëtarët të studiojnë shtresat e ndryshme të atmosferës së Diellit, të cilat, ashtu si një qepë, kanë temperatura dhe dendësi të ndryshme. Ky instrument mund të gjurmojë temperaturën, presionin, shpejtësinë dhe strukturën magnetike me saktësi të jashtëzakonshme në 3D.

I vendosur në Observatorin Kombëtar Diellor në majë të malit vullkanik Haleakalā në ishullin Maui të Havait, teleskopi Inouye ndodhet në një lartësi prej 3,000 metrash dhe përbëhet nga disa kate të specializuara. Ai pritet të bëhet plotësisht funksional në vitin 2026, por edhe testimet e para, si ky imazh i fundit, po sjellin përfitime të mëdha për shkencën.

Dielli po kalon aktualisht përmes kulmit të aktivitetit të tij magnetik, një fazë e njohur si maksimumi diellor, që ndodh çdo 11 vjet. Kjo është periudha më e frytshme për të vëzhguar fenomenet më dramatike diellore dhe për të testuar instrumente si VTF.

“Ashtu si një supë që zien, energjia nga bërthama e Diellit ngrihet në sipërfaqe përmes lëvizjes fluide,” tha Mark Miesch, studiues nga Universiteti i Kolorados. “Njollat diellore janë zona ku kjo energji bllokohet nga fusha magnetike, duke rezultuar në temperatura më të ulëta dhe pamje më të errët në imazhe.” shtoi ai.

Këto të dhëna janë të një rëndësie kritike për të kuptuar më mirë ndikimin e Diellit në jetën tonë të përditshme. Me avancimin e teknologjisë dhe mjeteve si VTF, shkencëtarët janë më afër se kurrë për të parashikuar me saktësi motin hapësinor dhe për të mbrojtur Tokën nga ndikimet e tij potencialisht të rrezikshme. Syri.net-CNN.gr.