Zjarret masive që kanë përfshirë periferinë e Jerusalemit vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, ndërsa qindra zjarrfikës po angazhohen në përpjekjet për shuarjen e flakëve. Shërbimi Izraelit i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit njoftoi se aktualisht 155 ekipe zjarrfikëse dhe 10 avionë janë të përfshirë në operacionet përballë zjarreve të fuqishme që kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha toke në disa rajone përreth kryeqytetit.
Pamjet ajrore nga vendngjarja tregojnë zona të gjera të djegura, ndërsa zjarret vazhdojnë në të paktën 11 lokalitete. Deri tani, janë evakuuar shtatë qytete për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve. Autoritetet raportojnë se 17 zjarrfikës janë lënduar gjatë operacioneve, përfshirë dy që janë dërguar për trajtim në spital.
“Zjarret ende nuk janë nën kontrol”, ka thënë Shërbimi i Zjarrfikësve në një deklaratë zyrtare, duke shtuar se mbështetja ajrore është rifilluar menjëherë pas lindjes së diellit.
Ndihma ndërkombëtare është gjithashtu rrugës. Tetë avionë zjarrfikës nga Qiproja dhe Italia pritet të arrijnë sot për të përforcuar përpjekjet në terren.
Ndërkohë, Qendra Mjekësore Hadassah në Ein Kerem njoftoi se ka rifilluar funksionimin normal, pasi rreziku nga flakët që i afroheshin mbrëmë është zvogëluar. Më herët, spitali kishte kërkuar evakuimin e pacientëve jo-urgjentë dhe kishte bërë thirrje për shmangien e vizitave nga publiku.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë ndërsa kushtet meteorologjike dhe terreni i vështirë po vështirësojnë kontrollin e situatës.