Familjarët e të akuzuarve për rastin ‘Monstra’ një majin e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar ende nuk ka kaluar.

Më 1 maj të 2012 apo 13 vite më parë policia maqedonase në orët e mëngjesit kishte ndërmarrë një operacion të gjerë në Shkup dhe rrethinë, duke arrestuar mbi 20 persona lidhur me vrasjen e pesëfishtë të katër të rinjëve (18 deri 21 vjeç) dhe një peshkatar 46 vjeçar që kishte ndodhur natën e 12 prillit 2012 pranë Liqenit të Smillkovës, përcjell INA.

Ministrja e brendshme Gordana Jankulloska në një konferencë për shtyp pikërishtë më 1 maj të 2021 deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

Por ky rast në vazhdimësi është konsideruar i montuar, duke pasur prova dhe dëshmi të publikuara, përfshirë edhe ekspertiza të huaja. Familjarët dhe mbrojtja e tyre kërkojnë drejtësi deri në pikën e fundit dhe zbardhjen e këtij rasti të montuar. Ata theksojnë se drejtësia e vërtetë patjetër të zbardh të vërtetën sepse dënoi njerëz të pafajshëm.

Sipas vendimit të gjykatave, Alil Demiri, Afrim Ismailloviq dhe Agim Ismailloviq u shpallën fajtorë për veprën dhe u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq Fejzi Aziri dhe Haki Aziri u dënuan me burg 15 dhe 9 vjet burg. Sami Luta u lirua nga akuza, në mungesë të fakteve.

Për shkak dyshimeve dhe akuzave për montim, lënda ishte rikthyer në gjykim, por pas përfundimit të gjykimit të dytë dhe ankesës së mbrojtjes, Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” dhe la në fuqi aktvendimin e Apelit.

Megjithatë avokatët e të dënuarve në rastin “Monstra” kanë dorëzuar gjithsej tre ankesa Gjykatën e Strasburgut, për aktgjykimet në gjykatat e vendit për rastin “Monstra”. Për shkak se korrespodenca me Gjykatën e Strasburgut, zhvillohet në mënyrë të fshehtë, avokatët nuk kanë dhënë detaje.