Uji është i nevojshëm për të gjithë organizmat e gjallë në Tokë. Qoftë për të mbetur të hidratuar, për ta tretur ushqimin, për të gjeneruar energji, për të rregulluar metabolizmin apo për të ndihmuar në rritjen e gjërave.

Pa ujin, nuk mund të ekzistonte jeta siç e njohim sot. Duke qenë më shumë se 4.6 miliardë vjet i vjetër, uji në Tokë e ka formësuar planetin dhe historinë e tij. Qoftë në formën e tij të lëngshme, të ngurtë apo të gaztë, uji është një substancë e pabesueshme. Ja cilat janë 5 fakte interesante rreth tij.

1. Sa ujë ka gjithsej planeti ynë?

Vlerësohet se në Tokë gjenden rreth 1.362.748.242 km3 ujë. Gati 98 për qind e tij ndodhet në oqeane, dhe nuk mund të pihet për shkak se është i kripur. Kjo do të thotë se më pak se 3 për qind e ujit të planetit tonë është i pijshëm, dhe gjendet tek akullnajat, puset, burimet, lumenjtëdhe liqenet. Uji nëntokësor është veçanërisht i rëndësishëm, pasi siguron ujë për njerëzit në vende ku sasia është e kufizuar ose e pamjaftueshme, siç janë qytetet në shkretëtirë.

2. Uji përbën më shumë se gjysmën e trupit tonë

Uji përfshihet në shumë funksione, dhe është i nevojshëm për shumicën e sistemeve trupore, përfshirë heqjen e mbetjeve, rregullimin e temperaturës së trupit, lubrifikimin dhe mbrojtjen e kyçeve si dhe të palcës kurrizore. Përqindja e ujit ndryshon midis organeve, ku truri dhe veshkat përmbajnë sasinë më të lartë, 80-85 për qind.

Zemra dhe mushkëritë përmbajnë 75-80 për qind ujë, ndërsa lëkura, muskujt dhe mëlçia përmbajnë 70-75 për qind ujë. Edhe gjaku, kockat dhe dhëmbët përbëhen pjesërisht nga uji. Sasia e ujit në trupin tonë, ndikohet nga përbërja e trupit.

Trupi i një burri përmban mesatarisht 60 për qind ujë, ndërsa i një gruaje gati 55 për qind. Kjo sepse indet yndyrore përmbajnë më pak ujë sesa indet jo-yndyrore, dhe gratë kanë më shumë inde yndyrore. Po ashtu, njerëzit mbipeshë kanë më pak ujë në trupin e tyre, pavarësisht nga gjinia.