A janë përzier partia dhe shteti?! “Lidhja Demokratike” e Trajanovit njofton për aktivitetet e MPJ-së

A po përzihet partia dhe shteti në aktivitetet e zëvendësministrit të punëve të jashtme, Zoran Dimitrovski? Nga partia e tij, Lidhja demokratike, më 1 maj përmes një e-maili njoftuan se Dimitrovski, si funksionar, ka qenë në vizitë në Azerbajxhan ku u mbajtën konsultimet e para politike mes dy ministrive të jashtme. Vetëm një ditë më vonë, MPJ publikoi njoftimin në faqen e saj zyrtare, përmbajtja e të cilit është identike me atë të partisë. Pyetjes pse opinioni informohet fillimisht nga partia për aktivitetet shtetërore të Dimitrovskit, e më pas nga Ministria, nga MPJ u përgjigjën se transparenca është ndër prioritetet e tyre kryesore dhe se bëjnë vlerësime për çdo rast.
“Ministria në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt informon për aktivitetet e ministrit, zëvendësministrit dhe sekretarit të shtetit – përmes formave dhe kanaleve të ndryshme të komunikimit, bazuar në vlerësim dhe analizë paraprake”, thotë Ministria e Punëve të Jashtme.
Kjo nuk është hera e parë që për aktivitetet e zëvendësministrit opinioni informohet nga partia e Pavle Trajanovit – Lidhja demokratike. Partia kishte njoftuar më parë se Dimitrovski kishte marrë pjesë në Samitin e iniciativës “Tri Detet” në Varshavë, si dhe në një forum në Sofje përkushtuar integrimeve europiane. Nga ana tjetër, Kodi Etik për funksionarët qartë përcakton se interesat shtetërore duhet të ndahen nga ato partiake.
“Profilet zyrtare të mediave sociale të institucioneve dhe të bartësve të funksioneve ekzekutive janë burimi primar për komunikimin e politikave, programeve, njoftimeve dhe iniciativave qeveritare”, përcakton Kodi Etik – neni 16.
Për respektimin e Kodit Etik është përgjegjës ministri i Drejtësisë, Igor Filkov. Nëse Filkov konstaton shkelje, ai mund ose të qortojë funksionarin ose të kërkojë edhe përgjegjësi politike. Deri tani nuk ka përgjigje nëse në rastin e Dimitrovskit është konstatuar ndonjë shkelje. Nuk ka as përgjigje nga Lidhja demokratike pse kanë vendosur të veprojnë në këtë mënyrë.