Aeroplani i tyre u rrëzua në mes të një moçali në Amazonë plot me aligatorë dhe anakonda – ata mbijetuan për 36 orë (VIDEO)

Pesë persona janë shpëtuar pasi kaluan 36 orë në rrënojat e një aeroplani që u rrëzua në një zonë moçalore të rajonit të Amazonës në Bolivi.
Është një zonë plot me aligatorë, njoftuan autoritetet lokale.
Bëhet e ditur se aeroplani u zhduk nga radarët të enjten dhe u gjet dje falë peshkatarëve vendas në rajonin e Bolivisë Amazonas, pasi u zhduk për 48 orë në total, shkruan BBC.
Të mbijetuarit – tre gra, një fëmijë dhe piloti 29-vjeçar – u gjetën në “gjendje të shkëlqyer”.
Piloti Andres Velarde tha se kishte pësuar një dështim të motorit, duke e detyruar atë të bënte një ulje emergjente pranë lumit Itanomas.
Kështu aeroplani u detyrua të ulej në një moçal pranë një lagune, ku u rrethua nga kafshë të egra.
“Ne ishim të rrethuar nga aligatorë”, tha Velarde.
Ai shtoi se besonte se rrjedhja e karburantit nga aeroplani i pengoi grabitqarët t’u afroheshin atyre.
Ndër tjera, piloti shton se në ujë kanë pikasur edhe një anakonda.
Ndryshe, pasi peshkatarët zbuluan rrënojat, një helikopter u dërgua në vendngjarje dhe i transportoi të mbijetuarit në spital.